Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini fajëson SHBA-në për nisjen e garës së re të armëve

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth rrezikut nga një garë e re e armëve, Putini ka thënë se kjo gjë “veçse ka nisur dhe është më se e dukshme”

(Reuters) – Presidenti rus, Vladimir Putin, ka fajësuar të enjten Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nisjen e një gare të re të armëve, duke pretenduar se Moska është shtrënguar që në kundërpërgjigje të zhvillojë armë hipersonike.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth rrezikut nga një garë e re e armëve, Putini ka thënë gjatë konferencës së tij të rregullt të fundvitit se kjo gjë “veçse ka nisur dhe është më se e dukshme”.

Më herët Putini ka nxitur Washingtonin që ta pranojë zgjatjen njëvjeçare të afatit të traktatit “New START”, e cila është njëherësh ujdia e fundit që e mban baraspeshën bërthamore midis dy vendeve dhe së cilës i ka skaduar afatit në muajin shkurt.

Ai ka thënë se beson që presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, do të jetë i hapur për dialog rreth çështjes, por ka shtuar se Rusia “do të ketë nevojë për një lloj reagimi prej partnerëve amerikanë”.

Marrëveshja e Reduktimit të Armëve Strategjike “New START”, e nënshkruar gjatë vitit 2010, e kufizon numrin e kokave strategjike bërthamore, raketave dhe bombarduesve që Rusia dhe SHBA-ja mund t’i stacionojnë.

Edhe Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë Botë Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë

Kritika në llogari të SHBA-së presidenti rus ka adresuar edhe lidhur me çështjen e helmimit të kritikut të tij kryesor me agjentin nervor Novichok. Duke iu përgjigjur raporteve mediatike se agjentë të sigurisë së shtetit rus kanë qëndruar prapa helmimit të politikanit opozitar, Alexei Navalny, Putin ka thënë se pretendimet janë pjesë e një komploti të mbështetur nga SHBA-ja për diskreditimin e tij. Ai për më tepër ka thënë se Navalny nuk ka qenë mjaftueshëm i rëndësishëm sa për të qenë cak i helmimit.

Navalny ishte dërguar në Gjermani gjatë gushtit, pasi që kishte humbur ndjenjat gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë. Testet laboratorike të kryera në tri shtete evropiane, të konfirmuara nga trupi kryesor global i mbikëqyrjes së armëve kimike, kanë konstatuar helmimin e tij me agjentin nervor të kohës sovjetike. Mirëpo, Rusia ka hedhur poshtë një gjetje të tillë dhe ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike vetë gjetjet e saj.

Duke cituar të dhënat nga fluturimet dhe ato të lokacionit të telefonit celular, uebfaqja hulumtuese “Bellingcat” dhe uebfaqja e pavarur ruse “The Insider” kanë publikuar rezultatet e një hulumtimi të përbashkët gjatë së hënës, të ndërmarra në bashkëpunim me “Der Spiegelin” gjerman dhe CNN-in.

Ky hulumtim, të cilin e përkrahu Navalny, ka identifikuar një ekip të vrasësve nga radhët e shërbimit rus të sigurisë FSB, i cili e kishte ndjekur opozitarin për vite me radhë.

Putini të enjten i hodhi poshtë këto hulumtime, duke thënë se janë bazuar në informatat e siguruara nga shërbimet amerikane të Inteligjencës.

“Janë një mashtrim për të sulmuar liderë (të Rusisë), ka thënë Putin. Ai ka sugjeruar gjithashtu se Navalny gëzonte mbështetjen e inteligjencës së SHBA-së, një pretendim ky të cilin opozitari e ka hedhur poshtë. Por megjithëkëtë, ka thënë Putin, ishte e vërtetë se agjentët e sigurisë ruse e kanë pasur atë nën vëzhgim.

“Por kjo assesi nuk do të thotë se ai duhej që të helmohej”, ka thënë Putin. “Kujt i duhet ai? Nëse dikush ka dashur që ta helmonte, atëherë do ta kishte përfunduar”, ka shtuar ai.

Edhe Skadon marrëveshja bërthamore SHBA-Rusi, shtohet frika për garë armatimesh Botë Skadon marrëveshja bërthamore SHBA-Rusi, shtohet frika për garë armatimesh

Putini rëndom i shmanget përdorimit publik të emrit të Navalnyt dhe i referohet atij vetëm si “pacienti nga klinika në Berlin”.

Gjatë së enjtes, presidenti rus ka thënë po ashtu se ende nuk e di sigurt nëse do të garojë për një mandat të ri, pas përfundimit të këtij aktual në vitin 2024. Duke iu përgjigjur pyetjes rreth çështjes, ai ka thënë se është ende shumë herët që të flitet për punën e vazhdimit të pushtetit. Putini kishte ndërmarrë ndryshime në kushtetutën e vendit, në mënyrë që t’i mundësohet gara edhe për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare në krye të Kremlinit. Me këtë, Putini do të mund të mbetej në pushtet deri në vitin 2036.