Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini bën paraqitjen e parë publike pas disa javësh izolim

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri paraqitjen e parë publike pas disa javësh izolim, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ai shfrytëzoi Ditën Kombëtare të Rusisë për të promovuar një reformë të diskutueshme të Kushtetutës, që mund ta mbajë atë në pushtet deri në vitin 2036. Ai u bëri thirrje rusëve që të dalin dhe ta votojnë reformën në referendumin e 1 korrikut, duke thënë se është i sigurt se "shumica absolute" e qytetarëve e mbështet atë.

Putini, 67 vjeç, ka udhëhequr Rusinë në 20 vjetët e fundit, qoftë si president apo kryeministër.

Paraqitja e tij e fundit publike ka qenë më 9 maj, në një ceremoni me rastin e Ditës së Fitores. Që atëherë, ai ka punuar nga rezidenca e tij jashtë Moskës.

Moska i ka hequr masat e izolimit këtë javë, përkundër numrit të lartë të të infektuarve me koronavirus.

Rusia ka konfirmuar rreth 510,000 raste me koronavirus – më së shumti në botë pas Shteteve të Bashuara dhe Brazilit – dhe 6,705 viktima.