Botë

Putin: Plani i paqes i Kinës mund të jetë bazë për t'i dhënë fund luftës

Plani i paqes i Kinës për Ukrainën mund të përdoret si bazë për t’i dhënë fund luftës, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin, raportoi të martën BBC-ja.

Udhëheqësi rus është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, të martën në Moskë për të diskutuar lidhur me konfliktin dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Putini ka thënë se plani i paqes mund të paraqitet kur Perëndimi dhe Kievi të jenë gati për të.

Por plani i Kinës, i publikuar muajin e kaluar, nuk kërkon që Rusia të largohet nga Ukraina. I publikuar muajin e kaluar, plani 12-pikësh bën thirrje për bisedime paqeje dhe respekt për sovranitetin kombëtar.

Ai dënon gjithashtu sanksionet e Perëndimit, të cilat janë quajtur “ të njëanshme".

Ukraina ka insistuar që Rusia të tërhiqet nga territori i saj si kusht për çdo bisedim.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se thirrja për armëpushim përpara se Rusia të tërhiqej do të mbështeste efektivisht ratifikimin e pushtimit rus.

Në një konferencë të përbashkët shtypi pas përfundimit të bisedimeve me Xi në Moskë, Putini ka thënë se shumë dispozita të planit të paqes kineze mund të merren si bazë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, sa herë që Perëndimi dhe Kievi janë gati për të.

Duke qëndruar përkrah udhëheqësit rus, Xi ka thënë se qeveria e tij është në favor të paqes dhe dialogut. Ai pretendoi se Kina ka një pozicion të paanshëm për konfliktin në Ukrainë.