Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putin do t'i shqyrtojë opsionet nëse Perëndimi refuzon garancitë për Ukrainën

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar shqyrtimin e një sërë opsionesh nëse Perëndimi refuzon kërkesën e tij për garancinë që NATO-ja nuk do të pranojë Ukrainën si shtet anëtar.

Duke mos dhënë përgjigje konkrete rreth reagimit të tij nëse kërkesat e Moskës zyrtare për garanci të sigurisë nga NATO-ja sa i përket zgjerimit të saj drejt lindjes nuk plotësohen, Putin tha se përgjigja e tij varet nga “propozimet që ekspertët tanë ushtarakë do të më ofronin”.

Në fillim të këtij muaji, Moska paraqiti projekt-dokumentet e sigurisë duke kërkuar nga NATO të mohojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike dhe të anulojë vendosjet e saj ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Putin ka kërkuar nga Perëndimi të lëvizë shpejt për të përmbushur kërkesat, duke paralajmëruar se Moska do të duhet të marrë "masa të përshtatshme ushtarako-teknike" nëse Perëndimi vazhdon kursin e tij "agresiv" "në pragun e shtëpisë sonë", raporton “Euronews”.

SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë refuzuar t'i ofrojnë Rusisë atë lloj garancie për Ukrainën që dëshiron Putini, duke përmendur parimin e NATO-s se anëtarësimi është i hapur për çdo vend kualifikues.

Megjithatë, ata ranë dakord të nisin bisedimet e sigurisë me Rusinë muajin e ardhshëm për të diskutuar shqetësimet e saj.

Siç bën të ditur Putin, bisedimet me SHBA-në do të mbahen në Gjenevë. Paralelisht, negociatat do të zhvillohen edhe ndërmjet Rusisë dhe NATO-s dhe priten diskutime më të gjera nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Edhe “Po çka nëse ne do të vendosnim raketa në kufijtë e SHBA-së?” Botë “Po çka nëse ne do të vendosnim raketa në kufijtë e SHBA-së?”

Në fjalimin e tij të transmetuar të dielën, Putin tha se Rusia i paraqiti kërkesat me shpresën e një përgjigje konstruktive nga Perëndimi.

Ai ripohoi se anëtarësimi në NATO për Ukrainën ose vendosja e armëve të aleancës atje është një vijë e kuqe për Moskën që ajo nuk do ta lejonte Perëndimin ta kalonte.

"Ne nuk kemi ku të tërhiqemi," tha ai, duke shtuar se NATO mund të vendosë raketa në Ukrainë që do të duheshin vetëm katër ose pesë minuta për të arritur në Moskë. “Ata na kanë shtyrë në një vijë që nuk mund ta kalojmë. Ata e kanë çuar atë deri në pikën ku ne thjesht duhet t'u themi ‘Stop!’".