Botë

Protestues të maskuar sulmojnë policinë dhe djegin shtëpi në Irlandën e Veriut

Irlande

Foto: Associated Press

Qindra protestues të maskuar sulmuan policinë dhe i vunë flakën shtëpive dhe veturave në qytetin Ballymena të Irlandës së Veriut të martën, në natën e dytë radhazi të trazirave që pasuan një protestë për një sulm të dyshuar seksual në qytet.

Policia ka thënë se po merret me "trazira serioze" në qytet, i cili është rreth 45 km nga kryeqyteti Belfast, dhe u ka bërër thirrje njerëzve të shmangnin zonën, raporton CNN.

Oficerët e përgatitur për trazira janë përgjigjur me topa uji dhe shkopinj plastikë pasi u sulmuan me bomba molotovi dhe gurë që protestuesit mblodhën duke rrëzuar muret aty pranë, ka thënë një dëshmitar i Reuters.

Një shtëpi është djegur dhe një numër veturash janë vënë në flakë teksa sirenat e policisë janë dëgjuar në të gjithë qytetin pas mesnatës të së martës.

Katër shtëpi janë dëmtuar nga zjarri dhe dritaret e dyert janë thyer në shtëpi dhe biznese të tjera në natën e parë të trazirave të hënën, teksa policia ka thënë se po e hetonte ngjarjen si sulm urrejtjeje të motivuar nga racizmi.

Qindra protestues janë mbledhur në Ballymena më herët të hënën në përgjigje të një çështjeje që përfshinte dy djem adoleshentë që u paraqitën në gjykatë atë ditë, të akuzuar për sulm seksual ndaj një vajze adoleshente në qytetin e Qarkut Antrim.

Pesëmbëdhjetë oficerë policie u plagosën të hënën, teksa disa kërkuan edhe trajtim spitalor.

Qeveria britanike dhe politikanët vendas e kanë dënuar dhunën.

"Skenat e tmerrshme të çrregullimeve civile që kemi parë përsëri në Ballymena këtë mbrëmje nuk kanë vend në Irlandën e Veriut", ka thënë ministrja e Irlandës së Veriut e Britanisë, Hilary Been.