Protestuesit kundër qeverisë kanë bllokuar dy udhëkryqet kryesore në qendër të kryeqytetit, Sofje, duke kërcënuar se do të bllokojnë trafikun deri sa të jep dorëheqjen qeveria, të cilën e akuzojnë për korrupsion.
Me mijëra njerëz janë tubuar për tre javë rresht në kryeqytetin e Bullgarisë dhe qytetet tjera, në protestat më të mëdha që nga anëtarësimi i këtij shteti në BE, shkruan Al Jazeera të enjten.
Që nga e mërkura, protestuesit kanë vendosur tenda në Urën e Shqiponjave, në udhëkryqin kryesor të Sofjes, si dhe jashtë ndërtesës së qeverisë.
Një nga organizatorët e protestës, Nikolay Hadjigenov tha të enjten për radion publike BRN se bllokimet e trafikut dhe aksionet tjera do të vazhdojnë derisa kryeministri Boyko Borisov të jep dorëheqjen.
“Borisov nuk na dëgjon. Nuk jemi në iluzion, andaj duhet ta rrëzojmë me forcë”, ka thënë ai.
Deri tani policia nuk ka intervenuar për t’i hequr tendat.
Borisov, mandati i tretë i të cilit përfundon në mars të vitit 2021, ka refuzuar dorëheqjen, transmeton KOHA.
Në një postim në Facebook të mërkurën, ai paralajmëroi që të mos bllokohen udhëkryqet dhe jeta normale e njerëzve.
“Zgjedhjet janë vitin e ardhshëm. Kush i fiton, qeverisë. Kjo është demokracia”, tha ai.
Trembëdhjetë vite pasi që iu bashkua BE-së, Bullgaria mbetet anëtarja më e varfër dhe me korrupsioni më të lartë nga të gjitha shtetet anëtare, sipas indeksit të korrupsionit nga “Transparency International”.