Organizatorët, përfshirë njërin që ka përkrahur pikëpamjet supermaciste të të bardhëve, kishin mbledhur miliona për “kolonën e kamionëve të lirisë” kundër detyrimit të vaksinimit. Kjo kishte mbështetjen edhe të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe miliarderit të “Teslas”, Elon Musk. Trudeau dhe familja e tij u zhvendosën në një vend të pazbuluar gjatë protestës.
Në një skenë në kundërshtim me reputacionin e kanadezëve për mirësinë dhe respektimin e rregullave, mijëra protestues kundër vaksinimit detyrues dhe kufizimeve të tjera të COVID-19, zbritën në kryeqytet gjatë fundjavës, duke bllokuar qëllimisht trafikun rreth objektit të parlamentit.
Disa urinuan në Memorialin e Luftës Kombëtare. Njëri kërceu mbi Varrin e Ushtarit të Panjohur. Një numër i tyre mbante shenja dhe flamuj me swastika.

Pas protestës më të madhe pandemike të Kanadasë deri më sot, demonstruesit kanë gjetur pak simpati në një vend ku më shumë se 80% janë të vaksinuar. Shumë njerëz u zemëruan nga disa sjellje të pahijshme.
Kryeministri Justin Trudeau i quajti protestuesit e Otavës “minoritet” dhe ka thënë se ata pasqyronin përhapjen e “dezinformatave në internet, teorive konspirative për mikroçipet, për Zoti e di për çfarë tjetër”.
Organizatorët, përfshirë njërin që ka përkrahur pikëpamjet supermaciste të të bardhëve, kishin mbledhur miliona për “kolonën e kamionëve të lirisë” kundër detyrimit të vaksinimit. Kjo kishe mbështetjen edhe të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe miliarderit të “Teslas”, Elon Musk.
Trudeau dhe familja e tij u zhvendosën në një vend të pazbuluar gjatë protestës. (Dy nga fëmijët e tij rezultuan pozitivë për COVID-19, e të hënën pas testimit zbulon se edhe ai vetë ishte i infektuar. Ai ka njoftuar se është mirë dhe se po punon në distancë).
Një numër më i vogël, ama i konsiderueshëm i protestueseve mbetën në rrugë të martën, duke thënë se nuk do të largohen derisa të mbarojnë të gjitha detyrimet e vaksinave dhe kufizimet e tjera. Ata po bëjnë po ashtu thirrje për largimin e qeverisë së Trudeau, megjithëse ajo është përgjegjëse për disa nga masat, shumica e të cilave u vendosën nga qeveritë provinciale.
“Ka ardhur koha për Kanadanë dhe pjesën tjetër të botës të gjejnë të tjera rrugë për t’u përballur me virusin” , ka spikatur protestuesja 47-vjeçe Michelle Kloet nga Canmore.
Simbolet naziste
Gjatë demonstratës, statuja e Terry Fox, heroit kombëtar që humbi njërën këmbë nga kanceri i kockave si i ri në vitin 1980 që u nis në një udhëtim për mbledhjen e fondeve nëpër Kanada, u mbulua me flamurin kanadez të përmbysur dhe një shenjë ku shkruhej “Liri e kufizuar”.

“Fëmijët e mi ishin të tronditur. Si të gjithë të rinjtë kanadezë, ata janë rritur me Terry Fox si një hero”, ka thënë zëvendëskryeministrja Chrystia Freeland. “Kjo nuk është Kanadaja që duam të jemi. Dhe unë më të vërtetë besoj me krenari, dhe e di, kjo nuk është ajo që është Kanadaja”.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha se ishte "jashtëzakonisht i shqetësuar" kur pa njerëzit "të përdhosnin monumentet tona më të shenjta dhe të valëvisnin swastikas dhe simbole të tjera të urrejtjes dhe jotolerancës".
Shpërthimi u pa si aq i jashtëzakonshëm për Kanadanë, saqë një shkencëtar amerikan u ndje i detyruar të kërkonte falje për atë që ai e portretizoi si ndikimin e Amerikës.
“Kanadaja na dha mirësi, tolerancë dhe hokej, e përkundër kësaj ne eksportuam këtë lëvizje të tmerrshme të rreme për lirinë e shëndetit të lidhur me ekstremizmin e djathtë që shkaktoi kaq shumë humbje të pakuptimta jetësh në Amerikë dhe tani mund të bëjë të njëjtën gjë atje”, shkroi Dr. Peter Hotez, specialist i sëmundjeve infektive në Kolegjin e Mjekësisë Baylor në Teksas. “Kërkojmë falje”.
Shumë prej demonstruesve refuzuan të mbanin maska në hotele, qendra tregtare dhe dyqane ushqimore. Një strehimore për të pastrehët ka raportuar se protestuesit kishin kërkuar që t'i ushqente ata.
Protesta e kamionëve
Shefi i policisë së Otavës, Peter Sloly, ka njoftuar se disa hetime janë duke u zhvilluar dhe një linjë informacioni për krimet e urrejtjes, kërcënimet dhe sulmet në lidhje me demonstratën është ngritur. Sloly ka bërë të ditur se një person ishte arrestuar në lidhje me protestën.

Tim Abray, kandidat Ph.D., tha se u sulmua nga "të ashtuquajturit luftëtarë të lirisë" teksa po fotografonte protestën në lagjen e tij.
Aleanca Kanadeze e Kamionëve ka vlerësuar se 85% e shoferëve të kamionëve në Kanada janë të vaksinuar.
Ndërkohë, policia të martën ndërmori hapa për t'i dhënë fund kolonës me kamionë dhe automjete të tjera që kishin bllokuar një vendkalim kufitar të madh të SHBA-së në Coutts, Alberta, që nga e shtuna. Ajo u bë e dhunshme pasi disa protestues tejkaluan barrierat e policisë për t'iu bashkuar demonstratës, thanë autoritetet.
Disa ligjvënës konservatorë të opozitës morën pjesë në protestën në Otava dhe kreu i Partisë Konservatore, Erin O'Toole, i cili po përballet me një revoltë mes ligjvënësve të tij, u takua me disa nga kamionistët.
Phil Haggart, një kundërprotestues, tha se ishte atje për të treguar se ka zëra në favor të masave të shëndetit publik.
“Maskat, vaksinat e detyrimet janë të rëndësishme vetëm sepse ne kemi nevojë për to për të qëndruar gjallë dhe për të mos i mbushur plot spitalet tona”, ka theksuar ai.
Rritja e variantit Omicron ka çuar në regjistrimin e rasteve dhe bllokimeve në Ontario dhe Quebec, provincat më të populluara të Kanadasë. Detyrimet e vaksinave të vendosura nga qeveritë provinciale mbeten ende në fuqi.
Mirëpo restorantet u rihapën të hënën me 50% kapacitet dhe kryeministri i Kebekut, Francois Legault, njoftoi të martën se po e braktis kërcënimin e tij për t’i taksuar të pavaksinuarit.
"Duhet ta mbroj shëndetin e quebecerëve, ama duhet ta mbroj edhe paqen në shoqërinë tonë", ka thënë Legault.
Nelson Wiseman, profesor i shkencave politike në Universitetin e Torontos, ka vënë në pah se keqinformimi në Kanada nuk është aq i thellë sa është në SHBA për shumë arsye, duke përfshirë më pak polarizimin politik në veri të kufirit.
"Protestuesit në Ottawa nuk e kanë ndihmuar kauzën e tyre, ndërkaq demonstrata vetëm po zvarritet", ka shtuar ai.
Përktheu: Blerta Haxhiu