Një prokuror i profilit të lartë paraguaian që luftoi kundër krimit të organizuar në vendin e tij është qëlluar për vdekje gjatë muajit të mjaltit në Kolumbi, shkruan BBC.
Marcelo Pecci ishte në një plazh në ishullin idilik Baru kur u vra nga dy persona të armatosur.
Disa orë para të shtënave, gruaja e Peccit kishte njoftuar në Instagram se ishte shtatzënë.
Presidenti i Paraguait, Mario Abdo Benitez, i përshkroi të shtënat si një "vrasje frikacake".
Gruaja e tij, gazetarja Claudia Aguilera, ka thënë se dy burra u afruan drejt tyre në një plazh privat para se burri i saj të qëllohej. Ajo thotë se nuk kishin marrë asnjë kërcënim.
Kreu i policisë kolumbiane dhe hetuesit nga Paraguai kanë shkuar në vendin e vrasjes.
Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë gjithashtu hetimin, ka thënë shefi i policisë kombëtare të Kolumbisë, gjenerali Jorge Luis Vargas.
Pecci ishte i specializuar në krimin e organizuar, trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorit.
Në vitin 2020 ai punoi në një çështje kundër ish-futbollistit brazilian Ronaldinho, i cili u arrestua duke u përpjekur të hynte në Paraguai me një pasaportë të rreme paraguaiane.