Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Profesoresha e inxhinierisë bërthamore në Berkley, aktiviste në “Dveri”

Një profesoreshë e njohur e inxhinierisë bërthamore në Kalifornia, me ndikim në fonde federale miliona-dollarëshe për hulumtime në SHBA, është njëkohësisht figurë me ndikim në “Dveri”, parti kjo e krahut të djathtë në Serbi, që publikisht përkrah një kriminel të dënuar lufte, në mesin e qëndrimeve tjera ekstreme, shkruan “The Daily Beast”.

Jasmina Vujiq ka qenë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, që nga viti 1992. Ajo më herët kishte qenë kryetare e Departamentit të Inxhinierisë Bërthamore në Universitetin e Kalifornisë dhe po ashtu drejtoreshë themeluese e Konsorciumit të Shkencave Nukleare dhe Sigurisë, një qendër e rëndësishme për hulumtime dhe ushtrime të sigurisë nukleare, ku drejton qindra hulumtues nga tetë universitete të ndryshme në SHBA.

Në vitet e fundit, Vujiq ka mbajtur pozita në komitetet e pranimit dhe diversitetit në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, dhe ajo ndihmon të shpëndahen së paku 10 milionë dollarë fonde të hulumtimit, në qendrën hulumtuese multi-universitare.

Ajo po ashtu është anëtare e kahmotshme dhe e famshme e Dverit, ku ka shërbyer si zëvendëspresidente e kësaj partie serbe të ekstremit të djathtë tash e tri vjet, sipas shumë raportimeve në media serbe, intervistave dhe postimeve në rrjetet sociale.


Ajo rregullisht paraqitet në ngjarje politike të kësaj partie në vendlindjen e saj, Serbi, derisa njëkohësisht ka organizuar ngjarje për mbledhje të fondeve dhe ka lobuar për grupin. Po ashtu, është paraqitur përkrah disa prej figurave më kundërthënëse në historinë më të re të Serbisë.

Edhe Pse është më mirë që Amerika të mos ndërmarrë gjë në Ballkan? Arbëri 2 muaj më parë Pse është më mirë që Amerika të mos ndërmarrë gjë në Ballkan?

Ekspertët thonë se ngritja e Dverit në parlament dhe politikë, madje edhe në një shtet që qeveriset nga një parti e krahut të djathtë, është tregues i pranimit më të gjërë të qëndrimeve dikur të papranueshme ideologjike në Evropë.

Por përfshirja e Vujiqit në grup ka ndezur alarmin në mesin e disa kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të saj në fushën e inxhinierisë nukleare. Lidhjet e Vujiqit me Dverin kanë shtyer së paku një individ ta raportojë atë tek departamenti përkatës, vitin e kaluar, sipas një burimi në rrjedha me situatën.

Një letër e hapur dërguar Rektorit të Berkeleyt, Carlos Christ, është publikuar online vitin e kaluar, duke ngritur çështjen e përfshirjes së Vujiqit në Dveri dhe pikëpamjet ekstreme të partisë. Prapë, nuk është marrë ndonjë veprim zyrtar nga universiteti.

Nuk ka indikacion se besimet e Vujiqit dhe bindjet politike kanë ndikuar në vendimmarrjen e saj në UC Berkeley, apo trajtimin prej saj të njerëzve qe mund te jenë pjesë e grupeve të urryera nga Dveri.

Por, tre persona me njohuri në punën akademike të Vujiqit dhe përfshirjen e saj me Dverin, kanë thënë se roli i saj në një parti me qëndrim agresiv ndaj mizorive të kaluara serbe gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë, si dhe pozicionimi anti-LGBTQ, kanë ngritur shqetësim në kampus.

Edhe Opinion 3 muaj më parë Evropa e ka “ngrirë” Vuçiqin: po përgatitet fundi i diktatorit

Vujiqi nuk u është përgjigjur kërkesave të vazhdueshme për koment për këtë artikull. Në një përgjigje ndaj pyetjeve të “The Daily Beast”, zëdhënësi i Universitetit të Kalifornisë Berkeley, Dan Moguloff, ka thënë se zyra e Christit nuk ka marrë ndonjë letër për aktivitetet e profesoreshës Vujiq.

“Aktivitetet siç përshkruhen, nëse janë të vërteta, janë jashtë sferës së tonë”, ka thënë Moguloff.

E lindur në qytetin serb, Loznica, në vitin 1953, Vujiqi ka përfunduar shkollimin fillestar për inxhinieri nukleare në Universitetin e Beogradit, para se të fillonte doktoraturën për shkencat nukleare në Universitetin e Michiganit në mesin e viteve tetëdhjetë. Pasi doktoroi në vitin 1989, ajo ka punuar në analizën reaktore në Laboratorin Nacional Argonne për tri vjet, para se t’i bashkohej Universitetit të Kalifornisë, Berkeley në vitin 1992, ku ka specializuar në dizajnimin e reaktorëve dhe siguri.

Ndonëse ka jetuar në SHBA për pjesën më të madhe në tri dekadat e fundit, Vujiqi ka mbajtur lidhje të ngushta me Serbinë, përfshirë edhe pjesëmarrjen në politikën e brendshme atje.

Në arkivat në uebfaqen e Dverit zbulohet se Vujiq ka shërbyer si zëvendëspresidente e partisë nga viti 2016, deri në janar të vitit 2016. Ajo më herët kishte mbajtur pozitën e këshilltares politike te Dveri, ku kishte përgjegjësi për të arritur te diaspora serbe dhe për të mbledhur fonde.

Dveri ka filluar në vitin 1999 si një publikim i Boshko Obradoviqit, që tash shërben si lider i Dverit.

Edhe Si u përdorën shantazhi, ndarja e territorit e stabilokracia në dëm të vendit... Arbëri 4 muaj më parë Si u përdorën shantazhi, ndarja e territorit e stabilokracia në dëm të vendit...

U bë parti formale politike në vitin 2011, dhe duke shfrytëzuar ndjesitë ksenofobike të shkaktuara nga kriza globale me migrantë në vitin 2015, i fitoi ulëset e para në parlamentin e Serbisë në vitin 2016.

Partia është pjesë e një lëvizjeje të ringjallur të krahut të djathtë nëpër politikat evropiane. Për shembull, anëtarët e Dverit së fundi janë takuar me ata të Alternativës për Gjermaninë (AfD), një parti e krahut të djathtë në Gjermani, për të diskutuar për koordinimet politike dhe bazën e përbashkët.