Ekipi hetues i Kongresit për trazirat e vitit të kaluar në Kapitol thuhet se do të rekomandojë tre akuza penale kundër ish-presidentit, Donald Trump.
Komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve do të kërkojë një akuzë të paprecedentë për kryengritje kundër një ish-presidenti amerikan, sipas mediave amerikane, raportoi BBC-ja të shtunën.
Paneli pritet të publikojë raportin përfundimtar javën e ardhshme.
Mbështetësit e Trumpit sulmuan Kongresin më 6 janar të vitit 2021 në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e Joe Biden si president.
Departamenti i drejtësisë - i cili tashmë po heton rolin e Trumpit në trazira nuk është i detyruar të marrë në konsideratë referimet nga asnjë panel i Kongresit.
Trumpi mohon keqbërjen. Të premten, zëdhënësi i tij, Steven Cheung, tha në një deklaratë se Komiteti i Pazgjedhur i 6 janarit “zhvilloi gjykime spektakolare nga partizanët të cilët janë një njollë në historinë e këtij vendi”.
Edhe
Gënjeshtrat e Trumpit për mbajtje të pushtetit
Përveç kryengritjes, sipas mediave të ndryshme, paneli do të sugjerojë që Trumpi të akuzohet për pengim të një procesi zyrtar dhe komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara.
Nëntë panelistët pritet të miratojnë raportin përfundimtar me tetë kapituj, duke u mbështetur në intervistat me më shumë se 1,000 dëshmitarë, dhe ta dorëzojnë atë në Departamentin e Drejtësisë (DD).
Raporti i plotë do të bëhet publik të mërkurën, tha kryetari Bennie Thompson, një demokrat nga Mississippi që drejton komitetin e përzgjedhur.