Avokatët e saj kanë thënë se SHBA-ja mashtroi gjykatën, në veçanti për “PowerPointin”, duke fshehur informacionet në dy faqe që tregonin se “HSBC”, në fakt, nuk ishte duke u mbajtur në errësirë për natyrën e vërtetë të marrëdhënies “Skycom”-“Huawei”. Amerika donte që Mengu të gjykohej për akuzat për mashtrim që lidheshin me shkeljen e pretenduar të sanksioneve amerikane kundër Iranit. Ajo i mohoi akuzat
Kur aeroplani i Meng Wanzhout aterroi në Vancouver më 1 dhjetor 2018, ajo po mendonte për një pushim të shkurtër. Por pas gati tre vjetësh, shefja e financave në “Huawei” dhe e bija e themeluesit të gjigantit të telekomit, është më në fund grua e lirë.
Të premten, prokurorët njoftuan se një kërkesë për ekstradim të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është refuzuar.
Gjatë tre vjetëve me beteja ligjore, Kanadaja u përfshi në tensionet në mes të Washingtonit dhe Pekinit.
Në qendër të krejt kësaj ishte një prezantim 16-faqësh me “PowerPoint”.
Ndalja në Vancouver
Kur aeroplani nga Hong-Kongu aterroi, Meng Wanzhou po planifikonte të shkonte në shtëpinë e saj në qytetin kanadez për të marrë valixhet para se të nisej në fluturimin tjetër drejt Meksikës për një takim brenda korporatës.
Por në vend të kësaj, ajo u mor në pyetje nga agjentët e sigurisë në Kanada për tri orë dhe telefoni iu konfiskua e valixhet iu hetuan. Kur kjo përfundoi, ajo u lejua të hynte në Kanada. Në këtë moment, Policia Mbretërore Kanadeze e arrestoi menjëherë për shkak të kërkesës për ekstradim nga SHBA-ja.
Amerika donte që Mengu të gjykohej për akuzat për mashtrim që lidheshin me shkeljen e pretenduar të sanksioneve amerikane kundër Iranit. Ajo i mohoi akuzat.
“PowerPointi”
Aplikacioni “PowerPoint” u përdor nga Mengu në një takim me bankën “HSBC” më 22 gusht 2013 dhe kjo shihet si dëshmi kundër saj.
Agjencia Reuters ka ngritur çështjet paraprakisht nëse ka pasur shkelje të sanksioneve tregtare ndaj Iranit, nga kompania me bazë në Hong-Kong “Skycom”. Çështja ishte nëse “Skycom”, shitës i pajisjeve të telekomit, ishte thjesht një partner i “Huaweit” apo front për të fshehur aktivitetet e kompanisë në Iran.
SHBA-ja pretendon se në takimin që çoi në arrestim – një prezantim i “PowerPointit” – Mengu mashtroi “HSBC-në” mbi natyrën e vërtetë të raporteve të “Huaweit” me “Skycomin” dhe e rrezikoi bankën me shkelje të mundshme të sanksioneve kundër Iranit.
Avokatët e saj kanë thënë se SHBA-ja mashtroi gjykatën, në veçanti për “PowerPointin”, duke fshehur informacionet në dy faqe që tregonin se “HSBC”, në fakt, nuk ishte duke u mbajtur në errësirë për natyrën e vërtetë të marrëdhënies “Skycom”/ “Huawei”.
Avokatët e saj më pas nisën një seri sulmesh ndaj kërkesës së SHBA-së për ekstradim.
Beteja e avokatëve

Përpjekja e parë e avokatëve që një krim i pretenduar nga SHBA-ja nuk paraqet krim në Kanada, ka dështuar.
Një tjetër sfidë u drejtua ndaj politikës rreth rastit.
Avokatët e Mengut deklaruan se komentet e bëra nga presidenti i asaj kohe, Donald Trump, që tregonin gatishmërinë për ta përdorur rastin si mjet negocimi për tregti me Kinën, qe abuzim i procesit.
Një tjetër apel kishte të bënte për trajtimin e saj në Aeroportin e Vancouverit. Avokatët e Mengut ankoheshin se ka pasur abuzime në mënyrën se si po trajtohej.
Ata kanë luftuar edhe për zbulimin e disa dokumenteve, përfshirë ato nga Shërbimi Inteligjent i Kanadasë dhe synonin të zbulonin rolin që kanë mundur të kenë zyrtarët amerikanë në arrestimin e biznesmenes. Një gjykatë refuzoi kërkesën për disa dokumente.
Mendohej se rasti do të duhej të zgjaste mes pesë e 10 vjetësh për t’u përmbyllur.
Muajin e shkuar, Meng u paraqit në gjykatë në ditën e fundit të dëgjimit të argumenteve nëse duhet të dërgohej apo jo në SHBA. Rasti i saj nxiti edhe diskutime të nivelit të lartë në mes të diplomatëve amerikanë e kinezë.
Zyrtarët e “Huaweit” ishin në kontakt edhe me Qeverinë e SHBA-së në përpjekje për të siguruar lirimin e saj.
Dhe të premten, Departamenti për Drejtësi, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje që nënkupton se ajo s’do të ndiqet nga prokuroria deri në vitin e ardhshëm dhe nëse u përmbahet kushteve të caktuara nga gjykata, rasti mund të hidhet poshtë.
Për pak orë, ajo menjëherë u largua nga Vancouveri me aeroplan për në Kinë.
Pasojat gjeopolitike
Ndikimi i rastit ka qenë me ndikim gjerë e gjatë.
Arrestimi i një figure kaq të njohur të biznesit ka nxitur nervozizëm në Kinë. Ambasadori i shtetit ka thënë se Kina u “shfrytëzua” dhe u bë “bashkëfajtore” nga Amerika, teksa Washingtoni kreu “akt barbar të ngacmimit”.
“HSBC” u vu në pozicion të vështirë me mediat në Kinë që vinin në pikëpyetje se si banka ka bashkëpunuar me SHBA-në në ndërtimin e rastit të cilin e kanë cilësuar si “kurth nga politika”.
Banka, e kapur në mes të Perëndimit dhe Kinës për qëndrimin e saj në Hong-Kong, ka thënë se i është përmbajtur vetëm gjërave ligjore që i është dashur të bënte dhe s’ka pasur të bënte asgjë me kurth.
Rasti ka ngritur pikëpyetje edhe jashtë shtetit se cilat vende mund të kryejnë arrestime të figurave të njohura të biznesit, nëse marrin kërkesë nga SHBA-ja. Ka zgjuar frikën se biznesmenët perëndimorë dhe udhëtarët tjerë mund të kapen nga Kina në të njëjtën mënyrë.
Dy kanadezë u kapën pak ditë pas arrestimit të Mengut. Michael Kovrig, ish-diplomat, dhe Michael Spavor, biznesmen, më vonë u akuzuan për spiunim. Kina ka mohuar lidhjet për arrestimin e dyshes që u interpretua si përgjigje direkte për arrestimin e Mengut. Muajin e shkuar, një gjykatë kineze e dënoi Spavorin me 11 vjet burgim. Ndërsa pak orë pasi një gjykatë kandaze i dha fund procedurave të ekstradimit ndaj Mengut, u mësua se Kina ka liruar të dy burrat.