Botë

Presion shtesë për “AstraZenecan” në BE dhe Britani

Pak kohë pas njoftimit të lëshuar nga Rregullatori Evropian i Barnave lidhur me vaksinën, Britania e Madhe ka zbatuar një ndryshim në administrimin e vaksinës, duke u ofruar qytetarëve më të rinj në moshë doza alternative shkaku i rreziqeve

Vaksina kundër COVID-19 e kompanisë “AstraZeneca”, e shoqëruar që prej fillimit me telashe, është përballur të mërkurën me presion shtesë, teksa Rregullatori Evropian i Barnave ka gjetur një ndërlidhje të mundshme midis dozave dhe rasteve të mpiksjes së rrallë të gjakut, duke e nxitur Mbretërinë e Bashkuar që t’u ofrojë qytetarëve më të rinj doza alternative si pasojë e rreziqeve.

Verdikti i pritur kaherë i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) ka pasuar rishikimin e dhjetëra raportimeve për mpiksje jashtëzakonisht të rrallë të gjakut në tru mes marrësve të vaksinës.

Ky rregullator ka njoftuar se deri të dielën janë raportuar 169 raste të mpiksjes mes 34 milionë dozave të administruara në zonën ekonomike të Evropës. Ka konstatuar se koagulimi i pazakontë i shoqëruar me numër të ulët të trombociteve tani është listuar si efekt shumë i rrallë anësor i vaksinës, por ka rekomanduar që kjo kurë të vazhdojë t’u jepet të rriturve, duke e përsëritur qëndrimin e mëhershëm se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.

Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë Evropën, ku pjesë të shumta tani janë zënë në zgrip nga vala e tretë më fatale e infeksioneve në kohën e administrimit të ngadaltë dhe me shumë probleme të vaksinave.

“EMA-ja i rikujton profesionistët shëndetësorë dhe të gjithë njerëzit që i marrin vaksinat të jenë të vetëdijshëm për mundësinë e mpiksjes shumë të rrallë të gjakut kombinuar me nivelet e ulëta të trombociteve në gjak që ndodhin brenda dy javësh pas vaksinimit”, ka bërë të ditur agjencia. “Deri më tani, shumica e rasteve të raportuara kanë ndodhur mes grave nën moshën 60-vjeçare pas dy javësh nga vaksinimi. Bazuar në dëshmitë e disponueshme, faktorë specifikë të rrezikut janë konfirmuar”. Por EMA-ja nuk ka përcaktuar ndonjë kufizim moshe për përdorimin e vaksinës, siç kanë bërë individualisht disa shtete.

“Lidhja e mundshme”

Në një zhvillim të veçantë të mërkurën, grupi këshillues i qeverisë britanike për vaksina ka rekomanduar që personave midis moshave 18 dhe 29 vjeçare t’u ofrohet një vaksinë alternative për “AstraZenecan”, po qe se është e disponueshme.

Veprimi është ndërmarrë, pas një rishikimi të Agjencisë Britanike të Rregullatorit të Barnave dhe Shëndetësisë lidhur me ndërlidhjen e mundshme të vaksinës me rastet e raportuara të mpiksjes së gjakut në vend.

Image

June Raine, shefe e agjencisë, ka thënë se 79 raste të mpiksjes së pazakontë të gjakut janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar deri në fund të marsit dhe 19 persona kanë vdekur. Më shumë se 20 milionë doza të vaksinës “AstraZeneca” janë dhënë në të gjithë vendin, si pjesë e fushatës së shpejtë të imunizimit kundër COVID-19 në Britani. Prej këtyre rasteve, 51 ishin gra dhe 28 ishin burra të moshave midis 18-79-vjeçare, ka thënë Raine.

Rregullatori ka njoftuar se rastet nuk përbëjnë dëshmi se vaksina e “AstraZeneca” ka shkaktuar mpiksje, porse ka shtuar se lidhja po bëhet përherë e më e fortë.

“Është një lidhje gjithnjë më e arsyeshme, por duhet të bëhen studime të mëtutjeshme për shpjegim shkencor të këtyre simptomave të reja, në mënyrë që të ofrohen dëshmi”, ka shtuar ajo.

Ngatërresa, hezitim, telashe...

Peter English, ish-shef i Komitetit britanik për Barna në Shoqatën e Shëndetit Publik, ka thënë se pikëpyetjet lidhur me vaksinën do të kenë ndikim serioz kudo në botë.

“Nuk e kemi luksin që të mos e përdorim këtë vaksinë, po qe se duam që ta përfundojmë këtë pandemi”, ka thënë ai.

Në disa shtete, autoritetet veçse kanë shfaqur hezitim për “AstraZenecan”. Kryetari i rajonit verior italian, Veneto, Luca Zaia, ka thënë se çdo vendim që do t’i ndryshonte udhëzimet për vaksinën do të shkaktonte telashe të mëdha për imunizimin, në kohën kur Evropa veçse ka telashe me furnizime, dhe do të mund të krijonte ngatërresa edhe më të mëdha për kurën.

“Nëse veprojmë si Gjermania dhe e lejojmë vaksinën vetëm mes personave mbi 65 vjeç, atëherë do të ishte absurde. Më herët ishte vetëm për nën 55-vjeçarët. Vëreni veten në pozitën e qytetarëve, është vështirë të kuptoni ndonjë gjë”, ka thënë Zaia.

Pezullimi më i fundit i përdorimit të “AstraZenecas” ka ndodhur në rajonin spanjoll Castilla y Leon, ku shefja për shëndetësi, Veronica Casado, ka njoftuar të mërkurën se “parimi i maturisë” e kishte shtyrë që ta ndalte përkohësisht përdorimin e vaksinës, të cilën ajo ende e mbron si efikase dhe të nevojshme.

Me gjithë dyshimet dhe pezullime, disa ekspertë kanë kërkuar që të shikohet nga e ardhmja.

Profesori Anthony Harnden, zëvendësshef i Komitetit britanik për Vaksinim, ka thënë se programi ka shpëtuar të paktën 6.000 jetë në tre muajt e parë dhe do të ndihmojë që t’i hapet rruga rikthimit të jetës normale.

“Është e qartë se për shumicën e njerëzve përfitimet nga vaksina ‘AstraZeneca’-‘Oxford’ i tejpeshojnë rreziqet jashtëzakonisht të vogla”, ka thënë ajo. “Dhe vaksina do të vazhdojë që t’i shpëtojë shumë njerëz që kanë vuajtur nga pasojat shkatërrimtare që kanë rezultuar nga sëmundja me COVID-19”.