Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Presidentja e Moldavisë akuzon Rusinë se po planifikon grusht shteti

Maia Sandu - Moldavia - presidente

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka akuzuar Rusinë se po planifikon të përdorë “sabotues të huaj” për ta rrëzuar qeverinë pro-BE, raporton BBC.

Sandu ka nominuar për kryeministër të premten, Dorin Recean, po ashtu një pro-BE.

Presidentja Sandu ka thënë se “komploti” do të përfshirë “protesta të së ashtuquajturës opozitë”, që kanë synim për të përmbysur rendin Kushtetues”.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë Moldavinë nën presion të madh.

Javën e kaluar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se inteligjenca e Kievit ka zbuluar planin e Rusisë për ta shkatërruar Moldavinë.

Moldavia, që gjendet mes Rumanisë dhe Ukrainës, është bërë kandidate për anëtarësim në BE verën e kaluar. Shteti me 2.6 milionë banorë ka përjetuar një rritje të fluksit të refugjatëve nga Ukraina dhe po ashtu tensione në Transnistria, një rajon separatist pro-Moskë ku afro 1500 ushtarë rusë janë të stacionuar.