Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se ditët e ardhshme janë vendimtare për Bashkimin Evropian e Britaninë e Madhe.
Ajo ka thënë se nuk mund të thotë sigurt nëse do të ketë marrëveshje tregtare me Britaninë, megjithëse ka shtuar se ka përparim në bisedime.
“Ashtu siç qëndrojnë gjërat tani nuk mund të them nëse do të ketë marrëveshje ose jo. Por mund të them se tani ka një rrugë drejt marrëveshjes”, tha von der Leyen.
Britania dhe BE-ja janë në ditët e fundit të negociatave për të mbrojtur tregtinë e lirë, në vlerë prej 1 trilion dollarësh, pas 31 dhjetorit, kur Britanisë i përfundon periudha e tranzicionit, pas daljes nga BE-ja.
Britania ka dalë nga BE-ja më 31 janar, por ka vazhduar tregtinë me bllokun nën të njëjtat kushte.
Dështimi për të arritur marrëveshje para 31 dhjetorit, mund të krijojë kaos në kufij, për shkak të tarifave dhe masave të tjera.