Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Presidenti meksikan nuk pajtohet me akuzat ndaj Trumpit

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha të mërkurën se nuk pajtohet me akuzat penale të ngritura kundër ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Çështjet e supozuara ligjore nuk duhet të përdoren për qëllime elektorale, politike”, tha Lopez Obrador në një konferencë për shtyp. “Kjo është arsyeja pse unë nuk jam dakord me atë që po i bëjnë ish-presidentit Trump”.

Trumpi u akuzua të martën për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, duke pretenduar se ai bleu heshtjen e dy grave me të cilat kishte kryer marrëdhënie seksuale përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Trumpi është presidenti i parë amerikan që u përball me akuza penale.

Populisti i majtë Lopez Obrador e krahasoi rastin e Trumpit me rrëzimin e ish-presidentit peruan Pedro Castillo, i cili u hoq nga detyra dhe u arrestua pasi u përpoq të shpërndante kongresin.

“Duhet të jenë njerëzit ata që vendosin”, tha Lopez Obrador, i cili tha se nuk mund të thoshte nëse Trump ishte fajtor apo jo.