Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Prapaskenat e negociatave për armëpushimin në Gazë

Izraeli arriti marrëveshje me Hamasin për armëpushim katërditor dhe lirimin e të paktën 50 prej rreth 240 pengjeve të kapura nga Hamasi më 7 tetor, në këmbim të lirimit të 150 të burgosurve palestinezë, kryesisht të mitur dhe gra, në burgjet izraelite. Marrëveshja u miratua brenda natës nga qeveria izraelite. Por prapa kësaj marrëveshjeje qëndrojnë Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, si ndërmjetësues

(Reuters) - Menjëherë pasi militantët e Hamasit kapën pengjet gjatë sulmit të tyre vdekjeprurës në Izraelin jugor më 7 tetor, qeveria e Katarit kontaktoi Shtëpinë e Bardhë me një kërkesë: Formoni një ekip të vogël këshilltarësh për të ndihmuar në lirimin e pengjeve.

Kjo punë, e nisur në ditët pas marrjes së pengjeve, më në fund dha frytet e saj me arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti dhe të rënë dakord nga Izraeli, Hamasi dhe Shtetet e Bashkuara.

Përpjekja e fshehtë përfshinte angazhim të tensionuar diplomatik personal nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili zhvilloi një sërë bisedash urgjente me emirin e Katarit dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në javët para marrëveshjes.

Përfshiheshin gjithashtu orë të tëra negociatash të mundimshme, duke përfshirë ato me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, drejtorin e CIA-s, Bill Burns, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, zëvendësin e tij, Jon Finer, si dhe të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Brett McGurk.

Dy zyrtarë të përfshirë në përpjekjet për të arritur zgjidhjen dhanë detaje të shumta të punës që çoi në një marrëveshje në të cilën 50 pengje do të lirohen në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë gjatë një pauze katër-ditore të luftimeve.

Roli i Katarit

Menjëherë pas 7 tetorit, Katari - një ndërmjetës i krijuar prej kohësh në një rajon të paqëndrueshëm - iu afrua Shtëpisë së Bardhë me informacione të ndjeshme në lidhje me pengjet dhe potencialin për lirimin e tyre, thanë zyrtarët. Katarianët kërkuan që të krijohej një ekip i vogël, të cilin ata e quajtën “celula”, për të punuar privatisht me izraelitët.

Sullivan udhëzoi McGurk dhe një zyrtar tjetër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Josh Geltzer, për të krijuar ekipin. Kjo u bë pa u thënë agjencive të tjera përkatëse të SHBA-së, sepse Katari dhe Izraeli kërkuan sekret ekstrem me vetëm pak njerëz që ta dinë, shtuan zyrtarët.

McGurk, një diplomat me përvojë të madhe në Lindjen e Mesme, zhvillonte biseda të përditshme në mëngjes me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani. Ai i raportonte Sullivanit dhe Bideni informohej çdo ditë për procesin.

Bideni veçse kishte informacione paraprake se çfarë duruan viktimat e sulmit të Hamasit, kur ai mbajti një takim emocional dhe të gjatë më 13 tetor me familjet e amerikanëve që ose mbaheshin peng ose rezultonin të zhdukur.

Ditë më vonë, Bideni udhëtoi në Tel Aviv për bisedimet e 18 tetorit me Netanyahun. Zyrtari tha se sigurimi i lirimit të pengjeve ishte fokusi qendror i diskutimeve të tij me Netanyahun dhe kabinetin e tij të luftës, si dhe ndihma humanitare.

Image
Fotografitë e pengjeve izraelite që janë marrë nga grupi militant i Hamasit gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Efekti i Shtëpisë së Bardhë

Pesë ditë më vonë, më 23 tetor, puna e ekipit të Shtëpisë së Bardhë dha rezultate në lirimin e dy pengjeve amerikane, Natalie dhe Judith Raanan.

Nga jashtë zyrës së Sullivanit në West Wing, McGurk, Sullivan dhe Finer gjurmuan në kohë reale udhëtimin e vështirë, shumëorësh të pengjeve jashtë Gazës.

Kthimi i dy amerikaneve dëshmoi se ishte e mundur të fitohej liria për pengjet dhe i dha besim Bidenit se Katari do të mund ta bënte atë përmes ekipit të vogël që ishte krijuar, thanë zyrtarët.

Tani, filloi një proces i intensifikuar për të liruar më shumë pengje. Kur kjo ndodhi, Burns filloi të fliste rregullisht me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës të Izraelit “Mossad”, David Barnea.

Bideni vërejti mundësinë për të liruar një numër të madh pengjesh dhe e dinte se një marrëveshje për të shkëmbyer të burgosurit ishte e vetmja rrugë realiste për të siguruar një pauzë të luftimeve, shtuan zyrtarët.

Më 24 tetor, kur Izraeli qe gati për të nisur një ofensivë tokësore në Gazë, pala amerikane kuptoi se Hamasi kishte rënë dakord për parametrat e një marrëveshjeje për lirimin e grave dhe fëmijëve, që do të nënkuptonte një pauzë dhe një shtyrje në pushtimin tokësor.

Zyrtarët amerikanë debatuan me izraelitët mbi shtyrjen ose jo të ofensivës tokësore.

Izraelitët argumentuan se kushtet nuk ishin mjaft të forta për ta shtyrë, pasi nuk kishte prova që pengjet ishin gjallë. Hamasi pretendoi se nuk mund ta përcaktonte se kush po mbahej peng derisa të fillonte një pauzë e luftimeve.

Amerikanët dhe izraelitët e shihnin pozicionin e Hamasit si të pasinqertë. Zyrtari tha se plani i pushtimit të Izraelit ishte përshtatur për ta mbështetur një pauzë nëse arrihej marrëveshja.

Më pas Bideni u angazhua gjatë tre javëve të ardhshme në bisedime të detajuara pasi propozimet për lirimin e mundshëm të pengjeve ngecnin. U bënë kërkesa që Hamasi të paraqiste listat e pengjeve që mbante, informacionin e tyre identifikues dhe garancitë e lirimit.

Procesi ishte i gjatë dhe i mundimshëm - komunikimi ishte i vështirë dhe mesazhet duhej të kalonin nga Doha ose Kajro në Gazë dhe e kundërta, thanë zyrtarët.

Bideni zhvilloi një bisedë telefonike të pazbuluar më parë me kryeministrin e Katarit kur nisën të merrnin formë fazat e lirimit, tha zyrtari.

Detajet e marrëveshjes

Sipas marrëveshjes që po merrte formë, gratë dhe fëmijët që po mbaheshin peng do të liroheshin në fazën e parë, së bashku me një lirim proporcional të të burgosurve palestinezë nga izraelitët.

Izraelitët këmbëngulën që Hamasi të sigurojë që të gjitha gratë dhe fëmijët të lirohen në këtë fazë. Pala amerikane ra dakord dhe kërkoi përmes Katarit prova se pengjet ishin gjallë ose informacione identifikuese për gratë dhe fëmijët e mbajtur nga Hamasi.

Hamasi tha se mund të garantonte lirimin e 50 pengjeve në fazën e parë, por refuzoi ta paraqiste listën e kritereve identifikuese. Më 9 nëntor, Burns u takua në Doha me udhëheqësin e Katarit dhe Barnean e “Mossadit” për të shqyrtuar tekstet e marrëveshjes në zhvillim.

Pengesa kryesore në atë pikë ishte se Hamasi nuk e kishte identifikuar qartë se kë po mbante peng.

Tre ditë më vonë, Bideni telefonoi emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, dhe kërkoi të dinte emrat ose informacionin e qartë identifikues për 50 pengjet, duke përfshirë moshën, gjininë dhe kombësinë. Pa informacion, tha zyrtari, nuk kishte bazë për të ecur përpara.

Menjëherë pas thirrjes së Bidenit, Hamasi dha detaje për 50 pengjet që tha se do të liroheshin në fazën e parë të çfarëdo marrëveshjeje.

Bideni në një telefonatë të 14 nëntorit i kërkoi Netanyahut të pranonte marrëveshjen - Netanyahu ra dakord.

McGurk e takoi Netanyahun po atë ditë në Izrael. Tek po largohej nga takimi, Netanyahu kapi për krahu McGurkun dhe i tha “ne kemi nevojë për këtë marrëveshje” dhe i kërkoi Bidenit të telefononte emirin e Katarit për të kuptuar kushtet përfundimtare, tha një nga zyrtarët.

Bisedimet ngecën pasi komunikimet u ndërprenë në Gazë.

Kur komunikimi u kthye në gjendjen paraprake, Bideni ishte në San Francisko ku po merrte pjesë në Samitin Azi-Paqësor. Ai thirri emirin e Katarit dhe i tha se ky ishte shansi i fundit dhe emiri u zotua të ushtronte presion për të arritur marrëveshjen, thanë zyrtarët.

“Presidenti këmbënguli se marrëveshja duhej të arrihej. Afati kishte kaluar”, tha një zyrtar.

Më 18 nëntor, McGurk u takua në Doha me kryeministrin e Katarit. Burnsin e telefonuan pasi bisedoi me “Mossadin”. Takimi vuri në pah boshllëqet e fundit të mbetura drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Marrëveshja tani ishte e strukturuar në atë mënyrë që gratë dhe fëmijët të liroheshin në fazën e parë, por me pritshmërinë për lirime të tjera dhe me synimin për të sjellë të gjitha pengjet në shtëpi te familjet e tyre.

Në Kajro të nesërmen në mëngjes, McGurk u takua me shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamil. Nga udhëheqësit e Hamasit në Gazë erdhi fjala se ata kishin pranuar pothuajse të gjitha pikat e arritura një ditë më parë në Doha.

Mbeti vetëm një çështje, e lidhur me numrin e pengjeve që do të liroheshin në fazën e parë dhe strukturën përfundimtare të marrëveshjes për të nxitur lirimin përtej 50 grave dhe fëmijëve të njohur, thanë zyrtarët.

Pasuan një sërë kontaktesh shtesë dhe më në fund marrëveshja u arrit.

Përktheu: Forca Jashari

Image
Artikuj të ngjashëm