Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pompeo paralajmëron për rrezikun e ndikimit kinez në Ballkan

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, vizitoi të premten Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore, ndërsa paralajmëroi liderët ballkanikë rreth rreziqeve të mundshme nga investimet kineze në teknologji dhe projektet madhore infrastrukturore.

Ai tha për më tepër se Kina mund të shfrytëzojë ryshfetin si mënyrë për të siguruar ujdi infrastrukturore në Ballkan.

“Siç kam bërë edhe kudo tjetër në udhëtimet e mia nëpër Evropë, edhe këtu paralajmëroj për rreziqet e investimeve kineze në teknologjitë e ndjeshme dhe për strategjinë e bazuar në ryshfet të Kinës për të siguruar marrëveshje infrastrukturore”, ka thënë Pompeo, pas takimit me zyrtarët më të lartë të Maqedonisë Veriore në qytetin jugor të Ohrit, raporton Reuters.

“Duam që Maqedonia Veriore të ketë sukses, e jo të përballet me korrupsion dhe të zhytet në borxhe”.

Pompeo qëndroi të premten për vizitë të shkurtër në dy shtetet e vogla të Ballkanit, Mali i Zi dhe Maqedonia, me qëllim që të diskutojë rolin e tyre në aleancën perëndimore të NATO-s.

Pasi u takua me zyrtarët më të lartë, Pompeo vizitoi kishën ortodokse të shekullit të 9-të, njërën prej më të vjetrave në rajon. Kina ka përfshirë vendet e Ballkanit në projektin e saj “Rrip dhe Rrugë” për t’i zgjeruar lidhjet tregtare të kompanive kineze. Ka lëshuar hua në vlerë prej miliarda dollarësh për ndërtim hekurudhash, rrugësh dhe centralesh energjetike, kryesisht duke i përfshirë punëtorët kinezë.

Në anën tjetër, Rusia që ka lidhje të fuqishme me disa prej vendeve të rajonit, e kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë Veriore duhet ta shpijnë vendin përpara, duhet thënë jo botëve dhe trollëve rusë në mediet sociale”, ka thënë Pompeo. “Ju keni kontribuar me trupa që luftuan bashkë me ne në Irak dhe Afganistan; keni kontribuar në koalicionin që e mposhti kalifatin e ISIS-it. Jam i bindur se Senati amerikan do ta miratojë protokollin tuaj të anëtarësimit këtë vjeshtë, ashtu që të mund t’ju pranojmë zyrtarisht në ekipin e NATO-s”, ka thënë ai.

Shtegu i Maqedonisë Veriore për t’u integruar në institucionet perëndimore ishte penguar deri në arritjen e një marrëveshjeje vitin e shkuar rreth emrit të shtetit me Greqinë fqinje. Greqia prej kohësh kishte insistuar se “Maqedonia”, emri i zgjedhur i vendit që pas shkëputjes prej Jugosllavisë, nënkupton pretendim territorial ndaj rajonit grek me të njëjtin emër.

Pas përfundimit të vizitës në Romë, Pompeo u bë zyrtari më i lartë amerikan që vizitoi Malin e Zi që prej 2017-s, kur vendi u bë anëtar i NATO-s. Duke folur nga Podgorica, Pompeo tha se SHBA-ja është e përkushtuar për të mos krijuar hapësirë për ndërhyrjet e jashtme në Ballkan.

“Është me rëndësi strategjike për Malin e Zi që të ketë prani amerikane dhe evropiane në Ballkan, ashtu që aty të mos ketë hapësirë për (ndikimin e) vendeve që nuk ndajnë të njëjtat vlera”, ka thënë nga ana tjetër kryeministri malazias, Dushko Markoviq.

Mali i Zi ka qenë në epiqendër të përpjekjeve ruse për ndërhyrje gjatë zgjedhjeve vendore të 2016-s. Dy zyrtarë të inteligjencës ruse dhe dy politikanë opozitarë ishin në mesin e 13 personave të dënuar të enjten lidhur me puçin e ditës së zgjedhjeve, që kishte për qëllim rrëzimin e Qeverisë malaziase, vrasjen e kryeministrit dhe sjelljen në pushtet të një aleance pro-Rusi.

Artikuj të ngjashëm