Botë

Politikanët botërorë kërkojnë “marrëveshje të gjelbër globale”

Aleanca e re nxit qeveritë që të punojnë së bashku për të sjellë transicion në ekonominë e gjelbër. Shumë liderë të qeverive kanë premtuar që të “nxjerrin diçka më të mirë” nga pandemia, por pak vende janë duke investuar në infrastrukturën e re të nevojshme

Njerëzit nga e tërë bota kanë nevojë për një “marrëveshje të gjelbër globale”, që do ta ndalonte krizën klimatike dhe do ta rigjallëronte botën natyrore, përderisa po rikuperohemi nga pandemia e Covid-19, ka thënë një grup politikanësh nga Mbretëria e Bashkuar, Evropa dhe shtetet e zhvilluara.

Aleanca Globale për një Marrëveshje të Re të Gjelbër po i fton politikanët nga legjislaturat e të gjitha vendeve që të punojnë së bashku për ligje që mund të sjellin transicion në ekonominë e gjelbër, para bisedimeve për klimën nga OKB-ja në Glasgow, këtë nëntor.

Në aleancë përfshihen Caroline Lucas, deputetja e vetme nga Partia e Gjelbër, dhe Clive Lewis nga Partia Laburiste, anëtarët e Parlamentit Evropian, përfaqësuesit në Brazil, Argjentinë, Indonezi, Malajzi dhe SHBA-ja në mesin e vendeve të tjera.

Ilhan Omar, kongresiste amerikane në Minnesota, ka thënë se moti ekstrem së fundmi në SHBA dhe në tërë botën duhet të shërbejë si paralajmërim. “Ndryshimi klimatik po ndodh dhe është kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Katastrofat natyrore, si zjarret në SHBA, valët e të nxehtit në Australi, përmbytjet në botë, mund të përkeqësohen po qe se nuk veprojmë si komunitet global, për t’iu kundërvënë këtij shkatërrimi”.

Aleanca do që qeveritë të vendosin masa që do ta nxisnin ekonominë e gjelbër, po ashtu që të bashkëpunojnë që tërë globi të ketë qasje në vaksina kundër COVID-19 dhe të mundësohet kredi për vendet më të varfra. Ata do të kërkojnë që t’i ndajnë njohuritë me tërë botën për iniciativat e suksesshme, siç është plani i dekarbonizimit, që është vënë në funksion nga Kosta-Rika.

Shumë liderë të qeverive kanë premtuar që të “nxjerrin diçka më të mirë” nga pandemia, por pak vende janë duke investuar në infrastrukturën e re të nevojshme. Hulumtimi i fundit nga “Vivid Economics” ka zbuluar se vetëm një e dhjeta e 17 trilionë dollarëve, që po shpenzoheshin në tërë globin për ekonomitë e dëmtuara, po shkonte në projektet që do ta zvogëlonin emetimin e gazeve serrë apo për natyrën.

Sidoqoftë, më shumë se 3 trilionë dollarë janë harxhuar në industri që vazhdimisht e kanë dëmtuar mjedisin, si thëngjilli dhe gazet e tjera fosile.

Manon Aubry, politikane franceze, anëtare e Parlamentit Evropian, ka thënë se qeveritë duhet të fokusohen në drejtësinë sociale dhe në klimë. “Përderisa pasojat e krizës klimatike bëhen çdo ditë e më alarmante, pabarazitë janë duke u rritur dhe më të varfrit po goditen më së shumti nga ndikimet e ndryshimit klimatik. Nëse duam ligje klimatike të drejta, sistematike dhe efektive, duhet të largohemi nga tregu i lirë dhe ideologjia e tregut të lirë”.

Aleanca tashmë ka 21 anëtarë nga 19 shtete. Joenia Wapichana, gruaja e parë indigjene që është zgjedhur përfaqësuese federale në Brazil, ka thënë: “E kuptoj se sa e rëndësishme është që të gjithë ta marrim përgjegjësinë për një marrëveshje të re të gjelbër. Për këtë arsye po i bashkohem kësaj aleance – për t’i bashkuar forcat në mënyrë që puna ime në parlament të mund të kontribuojë në forcimin e procesit legjislativ në mbështetje të të drejtave kolektive, ambientit dhe në mbështetje të njerëzve indigjenë”.