Zyrtarja më e lartë e Policisë holandeze u zotua të mërkurën që ta luftojë racizmin në radhët e veta, pasi një dokumentar ekspozoi kulturën e rrënjosur të bullizmit dhe diskriminimit.
“Fokusi i policisë është i qartë: organizata duhet të vendosë një shembull në ndjekjen e diskriminimit dhe racizmit”, thuhet në një deklaratë në uebsajtin e Policisë.
“Nëse një punëtor i policisë kalon kufirin, ata gjithmonë do të sanksionohen, nëse është e nevojshme edhe do të pushohen nga puna”, tha në një deklaratë shefja e përkohshme e Policisë Kombëtare, Liesbeth Huyzer.
Njoftimi i Policisë erdhi pas dokumentarit “De Blauwe Familie” ose “Familja e kaltër”, i transmetuar në televizion kombëtar muajin e kaluar në prag të përvjetorit të dytë të vrasjes së George Floydit në duart e Policisë së Minnesotës.
Vdekja e Floydit nxiti protesta kundër padrejtësisë racore në gjithë botën, përfshirë Holandën, një shtet shpesh të konsideruar si pishtar i tolerancës, por që në vitet e fundit është përballur me diskriminim të theksuar në shoqëri.
Dokumentari nxiti një opinion për racizëm policor dhe një debat parlamentar të shoqëruar me zotime për të bërë më shumë për ta zgjidhur problemin.
Controle Alt Delete, organizatë avokimi që punon për praktika më të mira të zbatimit të ligjit dhe që inicioi dokumentarin, mirëpriti deklaratën e Policisë dhe një videomesazh duke e cilësuar si “moment historik”.
Huyzer i tha Policisë se dëshiron të adresojë mesazhin bërthamë të dokumentarit.
“Diskriminimi dhe përjashtimi ndodh po ashtu edhe në forcat policore dhe impakti për kolegët është i madh”, tha ajo. ”Ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të punojmë shumë për ta ndryshuar atë”.
Përktheu: Forca Jashari