Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Policia suedeze kërkon që të ndalohet veshja e jelekëve antiplumb

Policia në Suedinë jugore ka bërë thirrje që civilët të ndalohen të veshin jelekë antiplumb sepse shkaktojnë frikë në komunitete.

Policia është e shqetësuar pasi një numër në rritje i fëmijëve dhe të rinjve, përfshirë ata nën 15 vjeç, po veshin jelekë antiplumb kur po dalin në qytet, ndërsa krimi i bandave vazhdon ta tërheqë brezin e ri në Suedi.

Patrik Andersson, shefi i inteligjencës për policinë në qarkun jugor Skane, i cili përfshin qytetin e Malmos, ka kërkuar që të ndalohet shitja e jelekëve antiplumb për qytetarët.

“Kujt i duhen jelekët antiplumb? Rojet e sigurisë dhe policia kanë nevojë për to pasi e bëjnë punën e rrezikshme. Ne nuk besojmë se kriminelët duhet t'i veshin ato. Është përhapur në të gjithë Suedinë”, ka thënë ai.

“Jelekët antiplumb nuk i përkasin shoqërisë suedeze. Ata nuk i përkasin asnjë shteti, përveç nëse janë në një situatë lufte”, ka shtuar ai.

Edhe Suedia drejt kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç Tech Suedia drejt kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Veshja e jelekëve antiplumb, sipas policisë suedeze, ka rritur vrasjet me të shtëna në kokë.

Siç thotë Andersson, veshja e jelekëve antiplumb, që kushtojnë rreth 750 euro, është bërë simbol për të nënkuptuar se janë pjesë e një bande. Ka kërkuar që t’i jepen policisë kompetenca për t’i konfiskuar.