Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Policia gjermane bastis shtëpitë e 17 të dyshuarve për antisemitizëm

Autoritetet gjermane kanë bastisur të martën shtëpitë e 17 personave në shtetin e Bavarisë, të cilët janë akuzuar se kanë shpërndarë mesazhe antisemitike nëpër rrjete sociale e po ashtu kërcënime drejtuar hebrenjve, raporton agjencia “AP”.

Sipas Policisë së Bavarisë, të dyshuarit ishin të moshave nga 18 deri 62 vjeç. 15 ishin burra e dy gra.

Policia ka intervistuar ata dhe ka sekuestruar dëshmi nga shtëpitë e tyre, përfshirë telefonë celularë dhe laptopë.

Të dyshuarit raportohet se i janë gëzuar sulmit të militantëve të Hamasit në Izrael më 7 tetor, dhe u akuzuan se kishin shpërndarë mesazhe urrejtjeje ndaj hebrenjve në rrjete sociale. Ata raportohet se kanë përdorur edhe simbole të organizatave terroriste.

Policia u fokusua kryesisht në Mynih, ku ishin nëntë nga të akuzuarit. Po ashtu u kryen bastisje edhe në Fuessen dhe Kaufbeuren, si dhe në çarqet Passau, Feurstenfeldbruck, Berchtesgadener Land, Coburg, Aschaffenburg dhe Hassberge.

Një nga të dyshuarit raportohet se dërgoi një stiker në grupin e klasës në WhatsApp me fjalët “gaz për hebrenjtë”.

Edhe Qindra policë gjermanë bastisin grupe kriminale të të rinjve neonazistë në 12 shtete Botë Qindra policë gjermanë bastisin grupe kriminale të të rinjve neonazistë në 12 shtete

Një tjetër, me shtetësi gjermano-turke, shkroi se hebrenjtë nuk meritojnë asgjë më tepër sesa “shfarosje”.

“Për fat të keq, antisemitizmi ka ndikim në jetën e përditshme të shumë hebrenjve në Gjermani”, ka thënë komisari i Policisë së Bavarisë, Michael Weinzierl. “Sulmi terrorist i Hamasit kundër Izraelit po ashtu ka pasur ndikim në jetët në Gjermani’.

Muajin e kaluar, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dënuan rritjen e antisemitzimit në Gjermani pas luftës Izrael – Hamas.