Në rrënojat e Gazës, 12-vjeçarja Jana përballet çdo ditë me sfidat e mbijetesës, duke siguruar ujë dhe ushqim për familjen e saj në mes të një krize humanitare shkatërruese. Pas humbjes së vëllait më të madh, ajo bart peshën e dhimbjes dhe përgjegjësisë. Lufta ka shkatërruar jetën e saj dhe të mijëra të tjerëve
Veshur me bluzën rozë me një fotografi të Hirushës në mes, e cila ia mbulon supet e dobëta, Jana ecën rrugëve të Gazës, mes rrënojave e pluhurit. Tek mban një kovë të madhe në dorë. 12-vjeçarja është në një mision: të gjejë ushqim dhe ujë.
Jana Mohammed Khalil Musleh Al-Skeifi dhe familja e saj thonë se ajo ka qenë përgjegjëse për sigurimin e furnizimeve për të gjithë qëkur një snajper izraelit vrau vëllain e saj të madh para një viti. Prindërit janë në gjendje të keqe shëndetësore, kështu që tani i takon asaj të sigurojë ushqimin.
“Nuk dua që babai im të lodhet. Kjo është arsyeja pse jam e fortë. Dua të jem e fortë, që babai im të mos vuajë”, tha Jana për CNN-in teksa priste në radhë në një pikë shpërndarjeje uji në qytetin e Gazës. “Babai im është i moshuar dhe ka sëmundje të zemrës. Nëse përpiqet të mbajë kovën, do të rrëzohet”. Duke e kursyer të atin nga puna e lodhshme, vajza e vogël mbante dy kova të rënda plot me ujë gjatë gjithë rrugës për në shtëpi. Gishtat i zbardheshin nga ngarkesa e rëndë e xhinset ishin të lagura nga uji që për ta është tepër i çmuar.
Gjetja e ushqimit dhe ujit u bë e vështirë pasi Izraeli nisi luftën brutale në Gazë pas sulmit terrorist të 7 tetorit nga Hamasi dhe aleatët e tij. Por situata është bërë katastrofike qëkur Izraeli vendosi bllokadë totale për të gjitha ndihmat më shumë se 11 javë më parë.
Sipas një raporti të mbështetur nga Kombet e Bashkuara i publikuar më parë këtë muaj një në pesë njerëz në Gazë po përballet me urinë, pasi territori, shtëpia e 2.1 milionë njerëzve, po i afrohet krizës së urisë.
Izraeli pretendon se bllokada, së bashku me një fushatë të re ushtarake, synon të ushqejë presion mbi Hamasin për t’i liruar pengjet e mbajtura në enklavë. Por shumë organizata ndërkombëtare e kanë akuzuar Izraelin se po përdor urinë si armë lufte.
Sigurimi i ujit të pastër ka qenë i vështirë për muaj të tërë sepse Izraeli kufizon qasjen në pajisjet e trajtimit të ujit dhe desalinimit, duke pretenduar se këta artikuj mund të përdoren për të prodhuar armë.
“Mjekët pa Kufij”, organizata humanitare, ka njoftuar se më shumë se dy të tretat e 1.700 artikujve të ushqimit dhe sanitarisë që kërkoi të sillte në Gazë midis janarit 2024 dhe fillimit të marsit 2025 u refuzuan nga autoritetet izraelite.
“Mezi mund të mbushësh një kovë, sepse nuk ka një sistem të duhur radhësh, dhe nëse pret, mund të mos marrësh asgjë. Ndonjëherë na duhet të rrimë pa të”, tha Jana.
“Rri aty me orë të tëra duke pritur vetëm të mbush një kovë. Është një ndjenjë e tmerrshme”.
Familja i tha CNN-it se në të kaluarën ka përdorur ujë të kripur për të pastruar dhe gatuar.
Ndihma: Pikë në oqean
Ushtria izraelite njoftoi para disa ditësh se do të lejonte një “sasi bazë ushqimi” të hynte në Gazë, ndërsa nisi ofensivën e re të madhe në Rrip. Arsyeja, raportoi ushtria, ishte fakti se një “krizë urie” në Gazë do të rrezikonte operacionin.
Më pas, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tregoi se Izraeli kishte ndërmarrë këtë hap sepse aleatët e tij perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po kërcënonin të tërhiqnin mbështetjen e tyre për vendin nëse do të lejonte që Gaza të futej në një krizë ushqimore.
Por vetëm pesë kamionë u lejuan të hynin, kur organizatat humanitare thanë se 500 në ditë ishin të nevojshëm vetëm për të ushqyer ata që kishin më shumë nevojë. Shefi i ndihmës së OKB-së, Tom Fletcher, e përshkroi shpërndarjen si një “pikë në oqean të asaj që nevojitet urgjentisht”.
Uria po bëhet katastrofike. Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka njoftuar se të paktën 57 fëmijë kanë vdekur nga efektet e kequshqyerjes që nga fillimi i luftës.
Mbesa e vogël e Janës, Janat, ishte njëra prej tyre, thotë familja e saj.
“Të gjithë po shikonin”
Teksa Janat lindi e vogël, me peshë vetëm 2.6 kilogramë, nëna e saj, Aya, i tha CNN-it se vajza po rritej dhe po shtonte peshë. Ajo u bë një foshnjë e shëndetshme, duke arritur një peshë prej rreth 4 kilogramësh. Ajo mësoi të buzëqeshte, ishte vigjilente.
Por gjërat ndryshuan kur Janat ishte gjashtëjavëshe.
Më 2 mars, Izraeli vendosi bllokadë totale në Gazë, duke parandaluar që edhe furnizimet më themelore, përfshirë formulën për foshnje dhe ilaçet të hynin në Rrip.
Aya tha se kur ushqimi u bë i pakët, ajo filloi të luftonte për ta ushqyer me gji Janatin, e cila filloi të humbiste peshë. Foshnja zhvilloi diarre kronike, u dehidratua dhe shumë shpejt u sëmur aq shumë saqë kishte nevojë për kujdes mjekësor.

“Në spital thanë se kishte një qumësht të veçantë mjekësor që do ta ndihmonte të shtonte në peshë dhe të ndalonte diarrenë - por ne nuk mundëm ta gjenim. Ne kërkuam në të gjithë Gazën, spital më spital, farmaci më farmaci. Edhe Ministria e Shëndetësisë na tha se nuk ishte i disponueshëm”, tha Aya. Një video e CNN-it e Janatit nga mesi i prillit tregon foshnjën e vogël të mbështjellë dhe të mbajtur fort nga Aya. Fytyra e saj e vogël është tepër e dobët, dhe ajo duket më shumë si një e porsalindur sesa një katërmuajshe. Gishtat e saj të dobët dhe të gjatë dalin nga batanija, dhe ajo duket e përgjumur. Sytë e saj të mëdhenj ngjyrë kafe janë e vetmja pjesë e trupit të saj të rraskapitur që duket se janë në gjendje të lëvizin, shikimi i saj ndjek njerëzit ndërsa lëvizin rreth saj.
Në të njëjtën kohë, nëna e Janatit po luftonte gjithashtu, e dobësuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit të pastër. Ashtu si shumë nëna të reja në Gazë në këto kushte, ajo humbi qumështin e gjirit - duke ia bërë të pamundur ushqimin foshnjës.
Sipas raportit të mbështetur nga OKB-j pothuajse 11.000 gra shtatzëna në Gazë janë tashmë në rrezik të urisë, dhe gati 17.000 gra shtatzëna dhe që ushqejnë fëmijët me gji do të kenë nevojë për trajtim urgjent për kequshqyerje akute gjatë muajve të ardhshëm.
Janat vazhdonte të përkeqësohej. Nëna e saj i tha CNN-it se foshnja filloi të luftonte për të ruajtur temperaturën e trupit të saj dhe mjekët thanë se niveli i sheqerit në gjak ishte shumë i ulët. Nivelet e saj të oksigjenit po binin. Kequshqyerja shkaktoi mosfunksionim të veshkave dhe mëlçisë dhe gjaku i saj u bë acidik si rezultat.
“Iu luta të gjithë botës ta shpëtonin. Doja vetëm dikë ta shpëtonte, t’i siguronte qumështin që i nevojitej. Por askush nuk mund ta ndihmonte. Të gjithë vetëm po shikonin”, tha nëna e Janatit.
Ajo tha se mjekët në spital i kishin rekomanduar Janatit evakuimin për shkaqe shëndetësore jashtë vendit. Familja madje arriti të merrte dokumentet e nevojshme, duke përfshirë një referim dhe një leje që Janati të largohej.
Por vajza e vogël vdiq më 4 maj, përpara se kjo të ishte e mundur. Në moshën katërmuajshe, ajo peshonte vetëm 2.8 kilogramë, pak më shumë se pesha e saj e lindjes.
Evakuimet mjekësore nga Gaza kanë qenë jashtëzakonisht të rralla, madje edhe më të rralla që kur Izraeli rifilloi operacionet ushtarake pas prishjes së armëpushimit në mars.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se rreth 12.000 pacientë në Gazë kanë nevojë për evakuim mjekësor dhe se vetëm 123 persona janë evakuuar që kur u vendos bllokada në mars.
Duke shfletuar fotot e Janatit, një ditë pas vdekjes së foshnjës, Jana u përlot dhe u mërzit. “Na thanë se nuk mund të trajtohej nëse nuk udhëtonte jashtë vendit. Ne pritëm, ata vazhdonin të thoshin ‘të shtunën’, ‘të dielën’. Ne pritëm derisa ajo vdiq”, tha Jana.
“Ndihem sikur kam vdekur”
Pas 18 muajsh lufte, çdo aspekt i jetës së Janës është i mbushur me vështirësi.
Ajo ka shumë pak ushqim për të ngrënë dhe ujë për të pirë, nuk ka shkollë për të shkuar, nuk ka vend të sigurt për të fjetur. Nuk ka energji elektrike dhe vendi që ajo e quan shtëpi është një objekt gjysmë i shkatërruar në qytetin e Gazës. Muret e tij janë të djegur nga zjarri.
Jana jetonte në një shtëpi ku uji vinte nga një rubinet dhe drita shfaqej me një shtypje të ndërprerësit. Kishte ushqim, kishte shkollë, kishte një shfaqje vallëzimi gjatë së cilës ajo dhe shoqet e saj ishin në qendër të vëmendjes, të veshura me veshje të njëjta, ku derisa kërcenin të gjithë duartrokisnin.
Një video familjare nga ngjarja duket si çdo video tjetër e bërë nga prindër krenarë të një fëmije që performon në publik.
Duke e parë atë mes shkatërrimit, e rrethuar nga shtëpi të bombarduara dhe grumbuj rrënojash, pamjet duken sikur kanë ardhur nga një univers tjetër. “Nuk kam më askënd. Ndihem sikur kam vdekur”, tha 12-vjeçarja për CNN-in, teksa lotët i rridhnin faqeve. “Emocionalisht, jam e vdekur”.
Familja e madhe e Janës është shkatërruar nga lufta. Ajo ka humbur një vëlla, një kunat, një kushëri dhe një mbesë, dhe është e tmerruar nga frika për humbjen e nënës së saj e cila ka kancer në tiroide që aktualisht nuk mund të trajtohet në Gazë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, më shumë se 53.000 palestinezë janë vrarë në luftë gjatë 18 muajve të fundit, afërsisht 4% e popullsisë së Rripit. Kjo do të thotë se nga çdo 40 njerëz që jetonin në Gazë para luftës, një tani është i vdekur.
Por ka pak kohë për të vajtuar, kur mbijetesa kërkon kaq shumë përpjekje.
Fëmijë të uritur kërkojnë ushqim
Më 12 maj, një ditë para se CNN të takohej për herë të fundit me Janën, ajo arriti të gjente ushqim për të blerë: 500 gramë makarona për 50 shekel (15 dollarë).
Ashtu si shumë familje në Gazë, ata i bluajnë makaronat në miell për të bërë bukë, një përpjekje për ta bërë atë të zgjasë më shumë. Gaza ka kohë që ka mbetur pa miell.
Të nesërmen, kur një kuzhinë e afërt e komunitetit furnizohet, një turmë e madhe fëmijësh të uritur mblidhet brenda pak minutash.
Ata vëzhgojnë çdo lëvizje të punëtorëve, duke pritur me padurim momentin kur ushqimi të jetë gati.
Është e qartë se nuk ka mjaftueshëm për të gjithë, kështu që fëmijët garojnë për vendin më të mirë, duke shtrirë krahët për ta afruar tenxheren e tyre sa më afër që të munden përpara, duke u përpjekur me dëshpërim të tërheqin vëmendjen e atyre që shpërndajnë vaktet. Disa po bërtasin dhe qajnë.
Jana është me fat. Dy lugë makarona me salcë domatesh të holluar me ujë bien në kovën e saj. Ajo duket e rraskapitur dhe e uritur, por e lumtur.
Gjersa ecën për në shtëpi me kovën që avullon nga ushqimi, ajo nuk e prek atë. Vetëm derisa të kthehet në shtëpi ku e presin vëllezërit e motrat, nipërit dhe mbesat e saj të uritur.
Vetëm atëherë, duke e ndarë ushqimin me ta, Jana e lejon veten të hajë.