Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pesë vjet pas aneksimit, Putini inauguron dy centrale energjetike në Krime

Foto: Reuters

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka inauguruar të hënën dy centrale të reja energjetike në Krime, pasi udhëtoi në gadishullin e Detit të Zi për ta festuar pesëvjetorin e aneksimit të rajonit nga Ukraina.

Centralet, në qytetet Sevastopol dhe Simferopol, ishin hapur pjesërisht gjatë vitit të kaluar, por inaugurimi i së hënës shënon momentin e funksionalizimit të tyre me kapacitete të plota, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Këto dy centrale kanë qenë në epiqendër të një skandali ndërkombëtar, pasi kompania gjermane e inxhinierisë “Siemens” bëri të ditur se turbinat e saja energjetike janë instaluar në to pa dijeninë e grupit dhe përmes shkeljes së sanksioneve të Bashkimit Evropian. Një pretendim të tillë ndërkaq Rusia e hodhi poshtë.

Putini, i cili ka derdhur me miliarda dollarë të taksapaguesve rusë qysh prej aneksimit të Krimesë më 2014, ka marrë pjesë në inaugurimin e centralit në Sevastopol dhe ka mbikëqyrur funksionalizimin e asaj në Simferopol përmes një videokonference.