Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pesë burra në Gjermani dënohen për grabitjen që shokoi botën

Pesë burra janë shpallur fajtorë për grabitjen e bizhuterive para katër vjetëve në Dresden të Gjermanisë. Hajnat patën vjedhur bizhuteri në vlerë 113 milionë eurosh nga muzeu i qytetit më 2019.

Policia ka gjetur shumicën e bizhuterive, duke përfshirë një shpatë të veshur me diamante, por ka frikë se pjesa e mbetur e thesarit s’do të gjendet kurrë.

Të gjithë burrat, anëtarë të një rrjeti kriminal, përballen me dënim prej katër deri gjashtë vjet burgim.

Vjedhja pati befasuar botën. Banda, që jetonte në Berlin, e pati vizituar disa herë ambientin dhe kishte përgatitur gjithçka në përpikëri. Më 25 nëntor 2019, në orët e para, ata i ndalën rrymën të gjitha rrugëve përreth dhe nëpërmjet një vrime të krijuar nga makina prerëse hynë në objekt. Kamerat e sigurisë i kapën hajnat me maska dhe sharra duke thyer xhamat për të marrë pasurinë, shkruan BBC.

Më pas kishin ikur me një veturë e të cilën e kishin djegur në Berlin.

Pas një vit hetimesh, policia arriti arrestimet e para. Të gjithë të dënuarit e së martës janë anëtarë të “klanit Remmo”. Janë disa klane në Gjermani, rrjete familjare me rrënjë arabe, përgjegjëse për krim të organizuar, përfshirë vjedhjet e mëdha të viteve të fundit.