Botë

Përplasja me BE-në që mund t’ia humbë Hungarisë miliarda euro

Qeveria e Orbanit së fundmi ka bërë përpjekje për pajtim me qëllim që të zhbllokonte gati 6 miliardë euro fonde, për këndellje nga pandemia, të cilat BE-ja i ka bllokuar shkaku i shqetësimeve për korrupsion dhe ka vazhduar me bllokadat e fondeve nga buxheti i BE-së për Hungarinë.

Pas koncertit në Festivalin Sziget të Hungarisë gjatë muajit të kaluar, ylli i muzikës pop, Justin Biber, organizoi alamet ahengu për stafin e tij në pronën luksoze – kështjellën e shekullit XIX në pronësi të dhëndrit të kryeministrit të vendit.

Kështjella, për kritikët e kryeministrit Viktor Orban, është emblemë e korrupsionit, nepotizmit dhe bollëk, për të cilat lideri dhe Qeveria e tij janë akuzuar me vite – lloj sjelljeje që tani mund t’ia pamundësojë Hungarisë miliarda eurot nga fondet e Bashkimit Evropian.

Duke qëndruar anash portave të hekurta të Kështjellës Schossberger, një deputet i pavarur hungarez, që bëri emër si kryqtar kundër korrupsionit, shkrepi fotografi të strukturës dhe oborrit të gjerë të kështjellës.

Ish-anëtari i partisë Fidesz të Orbanit, Akos Hadhazy, e braktisi partinë nacionaliste në vitin 2013, pasi mori vesh për atë që ai e përshkruan si sistem klientelist të korrupsionit të pakontrolluar që po merrte formë në shtetin e Evropës Qendrore.

“Kur Fidesz erdhi në pushtet, pash shumë e më shumë organizata serioze që nisën të zhvilloheshin nëpërmjet shtetit, detyra kryesore e të cilave ishte që të vidhnin sa më shumë para të Bashkimit Evropian”, thotë Hadhazy për agjencinë e lajmeve “The Associated Press”.

Tani, Orbani po përballet me BE-në, e cila ka vendosur pengesa financiare ndaj Qeverisë së tij në lidhje me shqetësimet për korrupsion dhe shkeljen e sundimit të ligjit që mund t’i kushtojnë Budapestit miliona euro në kohën kur po përballet me krizën ekonomike.

Akuzat e BE-së

Krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian, për më shumë se një dekadë ka akuzuar Orbanin për shpërbërje të institucioneve demokratike, kontroll të medias dhe shkeljen e të drejtave të minoriteteve. Orbani, i cili është në krye të pushtetit që prej vitit 2010, ka mohuar akuzuat.

Konflikti i kamotshëm mund të shpërthejë të dielën kur komisioni pritet të njoftojë tkurrjen e fondeve për Hungarinë, një nga përfitueset më të mëdha të BE-së, nëse shteti nuk ndërron udhë.

Peter Kreko, drejtor i institutit Policital Capital, ka thënë se BE-ja është duke ashpërsuar qëndrimin ndaj Orbanit pas masave disiplinuese që kanë dështuar ta bindin liderin t’u bindet vlerave të Evropës.

“Institucionet e BE-së mësojnë ngadalë, ama mësojnë. Më shumë e më shumë njerëz në Komision dhe në BE e dinë për taktikat mashtruese të negocimit nga Hungaria, por edhe për natyrën e regjimit politik hungarez”, thotë Kreko.

Ani pse nuk është e qartë se sa para do të humbasë Hungaria, ndalesa e fondit të saj prej 22 miliardë eurosh nga buxheti i BE-së për vitet 2021-27 mund të ndikojë në 70 për qind të fondit nga disa programe, thuhet në një dokument të komisionarit për buxhet, Johannes Hahn.

Shumë prej ndalesave të mundshme kanë lidhje me prokurimet publike – blerjen e mallrave dhe shërbimeve shtetërore ose për ekzekutimin e projekteve duke përdorur fondet e BE-së.

Sipas Hadhazyt, proceset me hile për dhënien e kontratave të tilla ia kanë mundësuar Qeverisë së Orbanit që të kanalizojë shuma të mëdha të parave të BE-së në bizneset e njerëzve të brendshëm me të cilët ai ka lidhje.

“Pasuritë e mëdha u krijuan nga gjëra të tilla dhe ata janë në thelb burim i kësaj rezidence luksoze pas nesh”, thotë Hadhazy për kështjellën në qytetin Tura. “Sistemi është për tentakulat në nivelet më të larta të Qeverisë”.

Memorandumi i komisionarit të BE-së, gjithashtu, vuri në dukje parregullsitë në prokurimet publike në Hungari dhe “rritje të mundësisë për të fituar kompanitë e lidhura politikisht”.

Hadhazy, i cili ka hetuar dhe dokumentuar qindra raste të dyshuara korruptive, huazoi automjetin nga nëna e tij për të vizituar disa vende në të cilat ai dyshon se janë keqpërdorur fondet e BE-së.

Një prej këtyre vendeve ishte edhe objekti i serverëve pranë Budapestit, në të cilin Qeveria ka thënë se do të ruante të dhënat më të rëndësishme të shtetit. Duke marrë më shumë se 50 milionë dollarë fonde nga BE-ja, ndërtimi i objektit – i kontraktuar për një kompani në pronësi të mikut të fëmijërisë së Orbait, i cili është njeriu më i pasur në Hungari - filloi në vitin 2016 dhe u përcaktua të përfundonte gjatë vitit të ardhshëm.

Mirëpo kur Hadhazy vizitoi hapësirën të mërkurën, vetëm skeleti prej betoni qëndronte në këmbë, aty ku ishte planifikuar objekti i serverëve. Kjo është shenjë, thotë ai, se fondet janë keqpërdorur.

Image

Zhdukja e fondeve

“I gjithë procesi është i kamufluar”, thotë Hadhazy për prokurimin publik të Hungarisë, i cili zakonisht duhet të përfshijë konkurrencën mes disa kompanive ofertuese. “Qysh në fillim është e vendosur se kush mund të fitojë, është e vendosur se kush do të punojë në fund”.

Ai përmend rastin në të cilin është përfshirë Istvan Tiborcz, pronari i kështjellës në Tura, i cili është i martuar me bijën e Orbanit. Zyra Evropiane Antimashtrim ka gjetur parregullsi serioze në dhënien e fondeve për një kompani që ishte pronë e tij.

Si rezultat i hetimit të zyrës, BE-ja ka kërkuar kthimin e më shumë se 40 milionë eurove. Shuma u financua përfundimisht nga taksapaguesit hungarezë, jo nga kompania e Tiborczit. Hetimi i rastit nga autoritetet hungareze ishte ndalur në mungesë të provave për krime.

Tiborcz ishte personi i 36 në mesin e pasanikëve të Hungarisë, thuhet në një analizë të Forbes Hungary.

Qeveria e Orbanit së fundmi ka bërë përpjekje për pajtim me qëllim që të zhbllokonte gati 6 miliardë euro fonde për këndellje nga pandemia, të cilat BE-ja i ka bllokuar shkaku i shqetësimeve për korrupsion dhe ka vazhduar me bllokadat e fondeve nga buxheti i BE-së për Hungarinë.

Në fillim të muajit shtator, Qeveria hungareze ia ka mësyrë që tëa formonte agjencinë e saj kundër korrupsionit. Raportohet se ka përgatitur legjislacion shtesë me qëllim të transparencës në prokurimin publik.

Mirëpo Komisioni Evropian përballet me presion shtesë nga deputetët e BE-së që të zbatojë plotësisht rregullat ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Në rezolutën e miratuar të enjten me shumicë votash, Parlamenti Evropian ka bërë të ditur se Qeveria hungareze është bërë “regjim hibrid i autokracisë së zgjedhur”, e cila më nuk mund të cilësohet si demokraci.

Ministria e Drejtësisë në Hungari nuk është përgjigjur. Nga Serbia, Orbani të premten ka hedhur poshtë rezolutën duke e cilësuar si “shaka” dhe ka përmendur kredencialet konservatore të Qeverisë së tij si arsye të qëndrimit të ashpër të BE-së ndaj shtetit hungarez.

Analisti Kreko dyshon se Qeveria e Organit është serioze në ndërrimin e kahes.

“Unë do të thosha se motori i regjimit të Organit është korrupsioni dhe nepotizmi”, thotë ai. “Për këtë arsye mund të jem skeptik se si Qeveria dëshiron të luftojë kundër korrupsionit, i cili është pjesë e natyrës së këtij regjimi”.

Në vitin 2021, Qeveria e Hungarisë vendosi që të mos i bashkohej Zyrës Evropiane të Prokurorit Publik – organ i pavarur i BE-së, i ngarkuar me luftimin e krimeve që prekin interesat financiare të BE-së. Hungaria ka argumentuar se bashkimi me këtë zyrë do të përbënte humbje të sovranitetit kombëtar.

Mirëpo Hadhazy thotë se nëse Qeveria e Orbanit nuk pranon t’i bashkohet kësaj zyre, nuk do të ketë garanci reale që reformat kundër korrupsionit të jenë në gjendje të arrijnë rezultate domethënëse.

“Them se nëse BE-ja i jep ndonjë cent Hungarisë pa hyrjen e saj në zyrën e prokurorit të BE-së, atëherë BE-ja është njëmend budallaqe sa pretendon Orbani”, thotë ai.