Botë

Hungaria mund të mbetet pa 13 miliardë eurot nga fondet e BE-së

Komisioni Evropian dëshiron që të ngrijë mbi 13 miliardë euro të fondeve të BE-së për Hungarinë me shqetësimin për demokracinë e brishtë dhe dështimet për të frenuar korrupsionin.

Propozimi, i cili duhet të aprovohet nga shtetet anëtare të BE-së, shënon një moment vendimtar në betejën e komisionit me kryeministrit hungarez, Viktor Orban, mbi sundimin e ligjit, raportoi The Guardian. 

Komisioni propozoi në shtator suspendimin e 7.5 miliardë eurove të fondeve për zhvillimin ekonomik të Hungarisë, pasi pati frikë se Qeveria e Orbanit nuk do të mund të garantonte përdorimin e duhur dhe mbikëqyrjen e parave.

Komisioneri evropian për buxhetin, Johannes Hahn, ka thënë se Budapesti nuk ka implementuar masat e nevojshme ashtu që të hiqet rreziku plotësisht, megjithëse shtoi se ka përparim.

Zyrtarët evropianë mendojnë se e kanë momentin unik që ta shtyjnë Orbanin drejt reformës.

Por, zyrtarët ngrenë shqetësimin pasi Orbani, i cili ka qenë në pushtet qysh nga viti 2010, edhe më parë ka premtuar ndryshime ndërkohë që ka rritur kontrollin e qeverisë mbi gjyqësorin dhe ka kufizuar mediat e pavarura.