Gjendja shëndetësore e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, është përmirësuar dhe ai tani është në gjendje të flasë, raportojnë Der Spiegel dhe mediat tjera.
Lideri opozitar, 44-vjeçar, është duke u trajtuar në një spital në Berlin, pasi i është përkeqësuar gjendja në Siberi muajin e kaluar.
Mjekët gjermanë kanë thënë se ai i është ekspozuar agjentit nervor të kategorisë ushtarake, Noviçok.
Më herët sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se ka shumë mundësi që helmimi i udhëheqësit rus të opozitës, Aleksei Navalny, të jetë urdhëruar nga zyrtarë të lartë në Moskë.
Pompeo, duke folur në një intervistë më 9 shtator, tha se njerëzit në të gjithë botën "e shohin këtë lloj aktiviteti për atë që është".
"Dhe, kur ata shohin përpjekjen për të helmuar një disident dhe ata e pranojnë se ekziston një mundësi thelbësore që kjo të jetë bërë nga zyrtarë të lartë rusë, mendoj se kjo nuk është e mirë për popullin rus", tha Pompeo.
Ekipi i Navalnyt, të afërmit e tij dhe të tjerët besojnë se autoritetet ruse janë prapa helmimit. Kremlini i ka mohuar akuzat.
Navalny papritmas u sëmur gjatë një fluturimi më 20 gusht dhe u evakuua në Gjermani me kërkesë të gruas së tij, disa ditë më vonë.
Autoritetet ruse kanë refuzuar të hapin një hetim penal, duke thënë se nuk janë gjetur prova të forta të helmimit.
Rusia tha më herët më 9 shtator se i kishte shprehur një protest të fuqishme të dërguarit të Berlinit në Moskë rreth "akuzave dhe ultimatumeve të pabaza" të bëra nga Gjermania mbi sëmundjen e Navalny.