Pekini zyrtar u është kundërpërgjigjur menjëherë masave ndëshkuese duke e vënë në mbështetje bllokun evropian, nëpërmjet vënies në listën e zezë të disa ligjvënësve, diplomatëve dhe dijetarëve evropianë, dhe duke ua ndaluar disa bizneseve nga blloku marrëdhëniet afariste me Kinën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë bashkuar forcat të hënën për sanksionimin e zyrtarëve kinezë të akuzuar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Xinjiang, në të parin veprim të tillë, të koordinuar perëndimor ndaj Pekinit nën presidentin Joe Biden.
Pekini zyrtar u është kundërpërgjigjur menjëherë masave ndëshkuese duke e vënë në mbështetje bllokun evropian, nëpërmjet vënies në listën e zezë të disa ligjvënësve, diplomatëve dhe dijetarëve evropianë, dhe duke ua ndaluar disa bizneseve nga blloku marrëdhëniet afariste me Kinën.
Qeveritë perëndimore synojnë që ta mbajnë Pekinin përgjegjës për burgosjet masive të ujgurëve myslimanë në veriperëndim të Kinës.
“Midis ndëshkimit në rritje të bashkësisë ndërkombëtare, (Kina) vazhdon që të kryejë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Xinjiang”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nëpërmjet një deklarate para takimeve të kësaj jave me ministrat e BE-së dhe të NATO-s në Bruksel.
“Dëshmitë përherë më të mëdha aludojnë për shkeljen sistematike dhe shtetërore të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve kineze”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme kanadeze.
Aktivistë dhe ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut kanë bërë të ditur se të paktën 1 milion myslimanë mbahen të mbyllur nëpër kampe në Xinjiang. Ata dhe politikanë të shumtë perëndimorë kanë akuzuar Kinën për përdorimin e torturës, punës së detyrueshme dhe sterilizimet kundër ujgurëve. Kina i mohon akuzat për shkeljen e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe pretendon se kampet e saja ofrojnë trajnime dhe janë të domosdoshme për luftimin e ekstremizmit.
Bashkimi Evropian ishte i pari që u vendosi të hënën sanksione katër zyrtarëve kinezë, përfshirë një drejtor të lartë të sigurisë dhe një entitet, në një vendim që është ndjekur më pas nga Britania e Madhe dhe nga Kanadaja. Shtetet e Bashkuara veçse kishin përfshirë vitin e shkuar në listën e tyre të zezë zyrtarin kryesor në Xinjiang, Chen Quanguo, i cili nuk është vënë në shënjestër të masave perëndimore të premten, për ta shmangur një përplasje më të madhe diplomatike, kanë thënë ekspertët dhe diplomatët. I shënjestruar nga BE-ja, Kanadaja dhe Britania është Chen Mingguo, drejtor i Byrosë së Sigurisë Publike në Xinjiang. BE-ja ka njoftuar se Mingguo është përgjegjës për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.
Zyrtarët e tjerë të goditur me ndalesa udhëtimi dhe ngrirje pasurish janë Wang Mingshan dhe Wang Junzheng, ish-zëvendëssekretari i Partisë Komuniste në Xinjiang, Zhu Hailun dhe Agjencia për Prodhim dhe Ndërtim në Xinjiang e Byrosë së Sigurisë Publike.
Sanksionet e së hënës janë masat e para më të mëdha që prej shtypjes së protestave paqësore në Sheshin Tianamen më 1989, ndonëse Brukseli ka vënë në shënjestër edhe dy hakerë kompjuterësh dhe një kompani teknologjike më 2020, si pjesë e sanksioneve të gjëra kundër sulmeve kibernetike. Masat megjithatë prodhuan kundërpërgjigjen e menjëhershme të Pekinit, e cila mori masa ndëshkuese ndaj një morie figurash politike të Evropës, përfshirë politikanin gjerman, Reinhard Butikofer, i cili e kryeson delegacionin e Parlamentit Evropian në Kinë. Holanda e thirri në bisedë informative ambasadorin e Kinës në Hagë, pasi që Pekini njoftoi masat ndaj 10 evropianëve.
Që të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë dakorduar për masat ndëshkuese të bllokut, ndërkaq ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i quajti ato si të “dëmshme” dhe “të pakuptimta”.