Bashkimi Evropian ka shpalosur planet për të sjellë ndryshime në zonën evropiane ku udhëtohet pa viza, pas masave mbyllëse që ishin marrë vitin e shkuar për shkak të pandemisë.
Zona e udhëtimit, e njohur si zona “Schengen”, përbëhet nga 26 shtete: 22 anëtare të BE-së dhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia e Zvicra.
Në parim, njerëzit dhe mallrat qarkullojnë lirshëm e pa kontrolle kufitare brenda kësaj zone, por shpërthimi i pandemisë në Itali në shkurtin e shkuar nxiti disa shtete brenda kësaj zone që të kthejnë kontrolle kufitare pa pyetur fare fqinjët e tyre, duke shkaktuar tollovi e bllokada gjithandej Evropës. 19 shtete të “Schengenit” kishin ndërmarrë masa.
Masat vetëm shtuan presionin te kufijtë evropianë, presion që fillimisht u shkaktua nga ardhja e më shumë se një milion emigrantëve më 2015.
Strategjia e re synon “të ngjeshë” kufijtë e jashtëm të Evropës përmes agjencive të kufijve e një hyrjeje digjitale për të përcjellë më mirë kush hyn e kush del nga Evropë.
Komisioni Evropian ka thënë se propozimet përfshijnë sistem të përmirësuar të monitorimit për të ndihmuar rritjen e besimit mes shteteve anëtare.
“Terrorizmi s’do të përfundojë, do të kemi edhe pandemi të tjera, do të kemi sfida të tjera që vijnë. Ajo që kemi nevojë është që të përgatitemi që zona ‘Schengen’ të jetë në dispozicion të përballet dhe adresojë këto sfida, që të sigurojmë qytetarët tanë teksa lëvizin të lirë”, ka thënë Ylva Johansson, Komisionerja për çështje të brendshme e BE-së, në një konferencë për mediat.
Qëllimi tjetër është zgjerimi i kësaj zone me shtetet tjera të BE-së si Bullgaria, Rumania, Kroacia e Qiproja.
Rreth 420 milionë njerëz jetojnë në këtë zonë.