Me dimrin që po afrohet, Izraeli po përgatitet për fazën e ardhshme vendimtare të fushatës së tij dhe pa marrëveshje për popullsinë civile, agonia e gjatë e Gazës duket se do të vazhdojë. Ndoshta edhe do të përkeqësohet. Për Izraelin, të burgosurit që liroi janë një kërcënim i sigurisë. Për palestinezët, ata janë viktima të okupimit të Izraelit - dhe lirimi i tyre është simbol i një qëllimi më të gjerë
(BBC) - Fushata ushtarake e Izraelit në qytetin e Gazës është ndoshta në fazën e saj përfundimtare.
Armëpushimi i ndërmjetësuar, për të lejuar lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, do të shtyjë operacionet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit nga katër deri në nëntë ditë, në varësi të numrit të pengjeve që Hamasi do të vendosë të lirojë.
Kur kjo të përfundojë, ekspertët izraelitë presin që beteja për kontrollin e qytetit të Gazës të rifillojë dhe të zgjasë edhe një javë deri në 10 ditë të tjera.
Por çfarë do të ndodhë kur ushtria izraelite ta kthejë vëmendjen në jug të Rripit të Gazës?
Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin kudo që ekziston. Izraeli supozon se udhëheqësit më të rëndësishëm të grupit militantë, Yayha Sinwar dhe Mohammed Deif, janë diku në jug, së bashku me mijëra luftëtarë dhe, ndoshta, një numër të konsiderueshëm pengjesh izraelite.
Edhe
Izraeli dhe Gaza përgatiten për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve
Nëse Izraeli vendos t’i bëjë jugut atë që tashmë i ka bërë veriut, a do të mbarojë dashamirësia perëndimore - veçanërisht ajo amerikane ndaj Izraelit?
Me pjesën më të madhe të rreth 2.2 milionë banorëve të Rripit të Gazës, të grumbulluar tani në dy të tretat e pjesës jugore të Rripit, shumë prej të cilëve të pastrehë dhe të traumatizuar, a po afrohet një fatkeqësi më e madhe humanitare?
Sipas agjencisë së OKB-së për palestinezët (UNRWA), pothuajse 1.7 milionë njerëz janë zhvendosur në të gjithë Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Shumica e tyre janë në jug, duke jetuar në strehimore të mbipopulluara.
Zyrtarët e OKB-së flasin për kushte tashmë të rënda, me dhjetëra-mijëra njerëz të strehuar në shkolla, spitale dhe, në disa raste, në tenda.
Shirat e hershëm kanë shkaktuar tashmë përmbytje, duke shtuar edhe më shumë mjerimin.
Qe disa javë zyrtarët izraelitë kanë folur për një zgjidhje - një të ashtuquajtur “zonë të sigurt” në Al-Mawasi, një pjesë e vogël toke kryesisht bujqësore, përgjatë bregut të Mesdheut, afër kufirit me Egjiptin.
Javën e kaluar, përmes fletëpalosjeve të hedhura mbi qytetin e afërt të Khan Yunisit, banorët u paralajmëruan për sulme ajrore në afërsi dhe u thanë atyre të zhvendoseshin në perëndim, drejt detit.
Në një postim në mediat sociale të enjten, Avichay Adraee, zëdhënësi i IDF-së për mediat arabe, shkroi se Al-Mawasi do të ofronte “kushtet e duhura për të mbrojtur të dashurit tuaj”.
Por sa realiste është që të pritet që më shumë se dy milionë njerëz të strehohen atje, ndërkohë që lufta po shpërthen aty pranë? Dhe sa “të përshtatshme” janë kushtet në Al-Mawasi?
Në hartë shihen një grumbull fushash, serrash dhe shtëpish të shpërndara. Zona e përcaktuar nga Izraeli është rreth 2.5 km e gjerë dhe pak më shumë se 4 km e gjatë.
Çdo përpjekje për të akomoduar qindra mijëra njerëz të zhvendosur, në një zonë që në dukje i mungon infrastruktura thelbësore - nuk ka as spitale - do t’i paraqesë OKB-së një sfidë humanitare tepër të madhe, duke përfshirë ngritjen e strehimoreve emergjente, me shumë gjasa tenda.
Është gjithashtu një sfidë morale me rezonancë të thellë historike - shumica e popullsisë së Gazës rrjedh nga refugjatët që jetuan në tenda pas dëbimit të tyre nga Izraeli në vitin 1948.
Rripi i Gazës është tashmë shtëpia e tetë kampeve të refugjatëve, të cilat janë shndërruar gjatë dekadave në qytete të mbipopulluara. OKB-ja nuk dëshiron të jetë përgjegjëse për ngritjen e një kampi tjetër.
Zyrtarët izraelitë thonë se do të jetë në dorën e agjencive të ndihmës për të siguruar që ndihma të arrijë në Al-Mawasi nga vendkalimi Rafah, më shumë se 10 km larg. Ata nuk kanë thënë se si do të funksionojë kjo në praktikë.
Zyrtarët amerikanë thuhet se po përpiqen të negociojnë me Izraelin për zona të tjera të sigurta, ndoshta duke përfshirë një në Dahaniya, në skajin më jugor të Rripit të Gazës.
Sipas kushteve të marrëveshjes për lirimin e pengjeve, e cila hyri në fuqi të premten, Izraeli gjithashtu duhet të lejojë kalimin e 200 kamionëve me ndihma në Gazë çdo ditë, shumë më tepër se në javët e fundit.
Por më 16 nëntor, një deklaratë nga krerët e 18 agjencive të OKB-së dhe OJQ-ve të përfshira në ofrimin e ndihmës për civilët palestinezë, u duk se hodhi poshtë planet e Izraelit.
“Ne nuk do të marrim pjesë në krijimin e asnjë ‘zone të sigurt’ në Gaza që do të krijohet pa marrëveshjen e të gjitha palëve”, thuhej në deklaratë.
Zyrtarët e OKB-së thonë se palët përfshijnë Izraelin, Hamasin dhe Autoritetin Palestinez, me bazë në Bregun Perëndimor.
Pa përmendur emrin e Al-Mawasit, deklarata e 16 nëntorit paralajmëroi se propozimet e njëanshme të Izraelit mund të rrezikonin shumë jetë.
Një nga nënshkruesit, dr. Tedros Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i quajti planet “një recetë për fatkeqësi”.
“Përpjekja për të grumbulluar kaq shumë njerëz në një zonë kaq të vogël me infrastrukturë apo shërbime kaq të pakta, do të rrisë ndjeshëm rreziqet për shëndetin e njerëzve”, tha ai.
Zyrtarët izraelitë thonë se Hamasi është fajtor dhe duket se nuk shqetësohet nga rreziqet. Al-Mawasi, thonë ata, është zona e vetme që forcat izraelite kanë marrë përsipër të mos e sulmojnë.
Edhe
Izraeli paralajmëron zgjerim të operacionit, udhëzon banorët në qytetin e Gazës të zhvendosen
“Do të jetë e tmerrshme. Por ata do të jetojnë”, thotë nënkoloneli Richard Hecht, një zëdhënës i IDF-së.
Për Izraelin është një çështje e domosdoshmërisë ushtarake. Ashtu si Hamasi u vendos në qytetin e Gazës, thotë ai, po ashtu luftëtarët dhe infrastruktura e grupit ekzistojnë në Khan Yunis dhe Rafah. Largimi i popullatës civile përpara një sulmi, argumentojnë izraelitët, është mënyra njerëzore për t’iu qasur detyrës për mposhtjen e Hamasit.
Perspektiva e muajve të mëtejshëm të vuajtjeve, të shoqëruara nga mbipopullimi ekstrem dhe kushtet e ashpra të dimrit, do të shtojë shqetësimin ndërkombëtar në rritje për zhvillimin e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza.
“Kryerja e një operacioni të ri të madh tokësor në atë zonë rrezikon shtimin e viktimave dhe zhvendosje të civilëve në një shkallë që do të kërcënojë të minojë simpatinë ndërkombëtare për Izraelin”, tha një zyrtar perëndimor, duke folur në kushte anonimiteti.
“Është pikëpyetje se sa do të zgjasë durimi perëndimor”, shtoi ai.

Qeveria e Netanyahut e di se mund të mbështetet në rezerva të thella të dashamirësisë perëndimore, pas tmerreve të papërshkrueshme të kryera nga Hamasi më 7 tetor.
Por zyrtarët izraelitë e dinë gjithashtu se këto rezerva nuk janë të pafundme dhe se thirrjet ndërkombëtare për përmbajtje ka të ngjarë të bëhen më të forta kur armëpushimi i pengjeve të përfundojë dhe Izraeli të rifillojë fushatën e tij ushtarake.
“Shpresa ime është që presioni ndërkombëtar pas përfundimit të armëpushimit nuk do ta pengojë këtë”, thotë dr. Eyal Hulata, i cili drejtoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit nga viti 2021 deri në vitin 2023.
“Shpresoj se qeveria e kryeministrit Netanyahu nuk do t’i nënshtrohet presionit. Kjo është ajo që qytetarët e Izraelit presin nga udhëheqësit e tyre”.
Me dimrin që po afrohet, Izraeli po përgatitet për fazën e ardhshme vendimtare të fushatës së tij dhe pa marrëveshje për popullsinë civile, agonia e gjatë e Gazës duket se do të vazhdojë. Ndoshta edhe do të përkeqësohet.
Kthimi i 117 palestinezëve nga burgjet izraelite në shtëpitë e tyre në Bregun e pushtuar Perëndimor nuk ishte kurrë vetëm një çështje familjare.
Burgosja e një numri të madh njerëzish nga Izraeli për arsye sigurie, shihet nga palestinezët si një mjet i pushtimit.
Akuzat variojnë nga vrasja dhe sulmet e dhunshme ndaj izraelitëve deri te gjuajtja me gurë. Shumë palestinezë thonë se Izraeli po kriminalizon aktet e rezistencës nga një popull i pushtuar. Shërbimi i Burgjeve të Izraelit (IPS) i tha BBC-së të gjithë të burgosurit janë të ndaluar “bazuar dhe sipas dispozitave të ligjit”.
Një e katërta e popullsisë së Bregut Perëndimor janë burgosur nga autoritetet izraelite.
Dhe më shumë se 3 mijë njerëz janë arrestuar që nga sulmet e 7 tetorit - duke përfshirë pothuajse 900 fëmijë - sipas presidentit të Klubit të të Burgosurve Palestinezë, Abdallah Zughary. Shumë prej këtyre të arrestuarve u është vënë masa e paraburgimit administrativ pa asnjë akuzë, thotë ai.
“Shumica prej tyre janë civilë, pa asnjë lidhje me ndonjë parti politike apo grup militant”, tha Zughary.
Ka pak besim në gjykatat ushtarake të Izraelit, të cilat janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e një popullsie të pushtuar, dhe të cilat, grupet e të drejtave të njeriut i kanë akuzuar se kanë dhënë vendime fajësie për palestinezët në 99% të rasteve.
Lirimi i 117 grave dhe adoleshentëve është një pikë e vogël në oqeanin e të burgosurve, por një simbol masiv për palestinezët, për aftësinë e tyre – të herë pas hershme – që Izraeli të detyrohet të veprojë.
Mustafa Barghouti, një politikan i lartë palestinez, tha se të burgosurit ishin një pjesë kyç e marrëveshjes së rënë dakord midis Izraelit dhe Hamasit dhe një pjesë kyç e arsyes pse ajo marrëveshje ishte e mirë për palestinezët.
Duhet të merret gjithashtu si një shenjë, shtoi ai, se një armëpushim i përhershëm ishte i mundur, pavarësisht këmbënguljes së Izraelit për rifillimin e luftës pasi marrëveshja e pengjeve të ketë përfunduar.
Izraeli ka thënë se qëllimet e tij për të eliminuar Hamasin dhe për të rikthyer pengjet nuk janë në konflikt me njëra-tjetrën, por disa në ushtrinë izraelite shqetësohen se marrëveshja mund të lejojë armikun e tyre të rigrupohet.
Për Izraelin, të burgosurit që liroi janë një kërcënim i sigurisë.
Edhe
Rrugët e mundshme për një zgjidhje të krizës në Gazë
Për palestinezët ata janë viktima të okupimit të Izraelit - dhe lirimi i tyre është simbol i një qëllimi më të gjerë.
Përktheu: Forca Jashari