Botë

Pas katër ditëve, Erdogani shfaqet në publik

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili nuk ndihej mirë që nga mbrëmja e së martës, u rishfaq të shtunën në publik në Stamboll, njoftuan stacionet televizive.

Vonë të martën, Erdoganit iu desh të ndërpriste shkurtimisht një intervistë të drejtpërdrejtë televizive pasi pësoi atë që më vonë e përshkroi si probleme stomaku.

Erdogan, 69 vjeç, u kthye më vonë për të përfunduar intervistën, në të cilën ka thënë se fushata intensive zgjedhore i kishte shkaktuar atij disa probleme “serioze” me stomakun.

Për shkak të një virusi të zorrëve, Erdogan shtyu fjalimet e fushatës në tre provinca të Anadollit qendror të mërkurën, dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale më 14 maj.

Pas një mungese katër ditore, presidenti turk u shfaq në panairin aeronautik Teknofest në aeroportin e vjetër Ataturk në Stamboll, ku industria ushtarake turke ekspozoi drone dhe avionë.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 14 majit konsiderohen si testi më i vështirë për qeverisjen 20-vjeçare të Erdoganit.

Blloku i bashkuar i opozitës po përpiqet ta rrëzojë atë mes një krize serioze ekonomike dhe pakënaqësisë në rritje për miliona refugjatë në vend.

Kandidati i përbashkët i opozitës për president, Kemal Kiliçdaroglu, i uroi Erdoganit shërim të shpejtë të mërkurën.