Botë

Pas dënimit të Chauvinit, SHBA-ja vë nën llupë policinë në Minneapolis

Hetimet përbëjnë veprimin e parë madhor të prokurorit të përgjithshëm, Merrick Garland, pasi presidenti Joe Biden është zotuar për adresimin e racizmit sistematik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të hetimeve do të përcaktohet nëse Departamenti policor është përfshirë “në modelin apo praktikën e përdorimit të forcës së tepruar gjatë protestave”, ka thënë Garland

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur të mërkurën procedurë gjithëpërfshirëse federale për hetimin e praktikave policore në Minneapolis, pas verdiktit të jurisë që e shpalli ish-policin Derek Chauvin fajtor për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd.

Hetimet përbëjnë veprimin e parë madhor të prokurorit të përgjithshëm, Merrick Garland, pasi presidenti Joe Biden është zotuar për adresimin e racizmit sistematik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të hetimeve do të përcaktohet nëse Departamenti policor është përfshirë “në modelin apo praktikën e përdorimit të forcës së tepruar, përfshirë gjatë protestave”, ka thënë Garland. Ai ka shtuar se do të ekzaminojë nëse Departamenti “është përfshirë në veprime diskriminuese dhe nëse trajtimi i tij ndaj atyre që kanë çrregullime me shëndetin mendor është i paligjshëm”.

Dënimi i Chauvinit ka shënuar një moment historik në SHBA përshkuar nga telashet racore dhe konsiston me ngritjen masive të qytetarëve kundër trajtimit të amerikanëve me ngjyrë nga forcat e rendit. Vdekja e Floydit ishte vetëm njëra prej listës së gjatë të vrasjeve nga policia që kanë nxitur protesta mbarëkombëtare.

“E di se plagët e këtilla kanë rrënjë të thella. Se tepër shumë komunitete kanë përjetuar plagë të tilla në lëkurë të veten. Verdikti i djeshëm nuk i adreson çështjet sistematike të sjelljes policore në Minneapolis”, ka thënë Garland.

Këshilli i Qytetit të Minneapolisit ka sinjalizuar se është në mbështetje të hetimeve, duke bërë të ditur se e mirëpret “mundësinë që Departamenti i Drejtësisë ta vërë gjithë peshën e autoritetit të tij për ta mbajtur Departamentin Policor në Minneapolis përgjegjës për të gjitha abuzimet me pushtetin”.

Vendimi për hapjen e hetimeve rreth problemeve sistematike me policinë shënon një kontrast të plotë nga koha e administratës së ish-presidentit Donald Trump.

Po qe se konstatohen sjelljet e këqija, Garland ka siguruar se Departamenti i Drejtësisë do të lëshojë një raport publik dhe mund gjithashtu të ngrejë padi civile. Aktualisht ky Departament ka hapur katër hetime për praktikat e ushtruara nga policët, veçmas njërës në Minneapolis.

Masa është iniciuar më pak se 24 orë qëkur juria 12-anëtarëshe ka shpallur të martën 45-vjeçarin Chauvin fajtor për vrasje të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim, pas dëgjimit për tri javë rresht të 45 dëshmitarëve. Përcaktues në vendimin e jurisë ishte videoxhirimi, në të cilin Cauvini, një polic veteran i bardhë, shihet tek ia shtyp gjurin në qafë Floydit 46-vjeçar dhe me ngjyrë, për më shumë se nëntë minuta në arrestimin fatal të 25 majit të shkuar. Atë ditë Chauvini bashkë me tre policë të tjerë po përpiqeshin ta arrestonin Floydin nën akuzën se kishte përdorur një bankënotë false prej 20 dollarësh për të blerë cigare në një dyqan.

Dënimi ka nxitur një valë lehtësimi dhe reflektimi jo vetëm në SHBA, por kudo përreth botës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka quajtur vendimin “një hap gjigant përpara”.

“Verdikti është një hap i madh, gjigant në ecjen përpara. Është aq i rrallë... por nuk është i mjaftueshëm. Nuk duhet të ndalemi me kaq”, ka theksuar ai të mërkurën.

Ndërkaq zëvendëspresidentja, Kamala Harris, ka thënë se duhet ende shumë punë për të bërë.

“Të gjithë jemi pjesë e trashëgimisë së George Floydit dhe detyrë jona është që ta nderojmë atë dhe ta nderojmë Floydin”, ka shtuar Harris.

Sipas ligjeve në fuqi në Minnesota, Chauvin mund të ballafaqohet me 12 vjet e gjysmë burgim për dënimin për vrasje, si një kryerës i veprës së parë kriminale. Megjithëkëtë, prokurorët mund të kërkojnë dënim më të gjatë, deri në maksimum 40 vjet heqje lirie, në rast se gjykatësi i Qarkut në Hennepin County, Peter Cahill, i cili ka kryesuar gjykimin, vendos se ekzistojnë “faktorë rëndues”. Kohëzgjatja e burgimit të tij do të përcaktohet gjatë një seance gjyqësore të radhës.