Botë

Parlamenti i Italisë miraton ligjin që dënon vrasësit e grave me burgim të përjetshëm

Itali

Foto: Associated Press

Parlamenti i Italisë ka miratuar të martën një ligj që fut femicidin në ligjin penal të vendit dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm.

Votimi përkoi me ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, një ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Ligji fitoi mbështetje dypartiake nga shumica e qendrës së djathtë dhe opozita e qendrës së majtë në votimin përfundimtar në Dhomën e Ulët, duke kaluar me 237 vota pro, raporton AP.

Ligji, i mbështetur nga qeveria konservatore e kryeministres Giorgia Meloni, vjen në përgjigje të një serie vrasjesh dhe dhune që synon gratë në Itali. Ai përfshin masa më të forta kundër krimeve me bazë gjinore.

Rastet e profilit të lartë, të tilla si vrasja në vitin 2023 e studentes universitare Giulia Cecchettin, kanë qenë kyç në protestën dhe debatin e gjerë publik rreth shkaqeve të dhunës ndaj grave në kulturën patriarkale të Italisë.

Ndonëse opozita e qendrës së majtë e mbështeti ligjin në parlament, ajo theksoi se qasja e qeverisë trajton vetëm aspektin kriminal të problemit, duke lënë të patrajtuara ndarjet ekonomike dhe kulturore.

Agjencia italiane e statistikave Istat regjistroi 106 vrasje të grave në vitin 2024, 62 prej të cilave të kryera nga partnerë ose ish-partnerë.

Debati mbi futjen e edukimit seksual dhe emocional në shkolla si një mënyrë për të parandaluar dhunën me bazë gjinore është bërë i nxehtë në Itali. 

Një ligj i propozuar nga qeveria do të ndalonte edukimin seksual dhe emocional për nxënësit e shkollës fillore dhe do të kërkonte pëlqimin e qartë të prindërve për çdo mësim në shkollën e mesme.

Koalicioni qeverisës e ka mbrojtur masën si një mënyrë për të mbrojtur fëmijët nga aktivizmi ideologjik, ndërsa partitë dhe aktivistët e opozitës e kanë përshkruar projektligjin si "mesjetar".