Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se humbja e Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari pasi 16 vjetëve në pushtet, duhet të shihet si rezultat i durimit të tepruar që kishin hungarezët për pushtetin e tij.
Palokaj ka thënë se kjo është edhe dëshmi se liderët autokratë dështojnë në një moment.
“E do të dështojnë keq si Orbani, kur pa asnjë kontroll përzihen aty ku nuk e kanë vendin, aty ku politika s’e ka vendin, si gjyqësor, media, biznese e shoqëri akademike. Orbani mori nën kontroll universitete, media, gjyqësorin, biznese e kështu me radhë. Populli e pa se nuk mund të shkojë kështu më”, tha Palokaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai tha se me Orbanin, hungarezët kanë pasur gjithmonë standardin më të dobët jetësor krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian. Ai vlerëson se kjo ishte edhe arsyeja që u penalizua Orban dhe çoi te fitorja e thellë e Peter Magyarit.
“Këtë humbje duhet ta shohim si rezultat i durimit të tepruar që kishin hungarezët për një pushtet të tillë të Orbanit. Po flasim për periudhë 16-vjeçare, por ai nuk ka qenë i tillë gjatë gjithë kohës. Nga viti 2017 nisi të ndryshonte”, tha Palokaj.
Edhe Largimi i Orbanit nga i cili mund të nxjerrin mësime liderët me synime autoritarePalokaj ka folur edhe për deklaratat e Magyarit që zemëruan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Magyar tha se e di që Orbani, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë lidhje të ngushta dhe se e di se “kush është kumbara i kësaj lidhje”.
“Kjo e zemëroi jashtëzakonisht shumë presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke menduar se një kumbarë i tillë mund të jetë vetë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin”, tha Palokaj.