(AP) - Palestinezët që u larguan gjatë bastisjeve të vazhdueshme izraelite në dhe rreth spitalit kryesor të Rripit të Gazës, kanë përshkruar ditët e luftimeve të rënda, arrestimet masive, marshime të detyruara pranë trupave të të vdekurve e ndërtesave të shkatërruara, në intervista të dielën.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka vrarë mbi 170 militantë dhe ka arrestuar rreth 480 të dyshuar në sulmin në spitalin Shifa që filloi të hënën e kaluar, duke e portretizuar atë si një goditje të rëndë për Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura, që sipas saj ishin rigrupuar në kompleksin mjekësor.
Mirëpo, luftimet e ashpra kanë nxjerrë në pah gjithashtu qëndrueshmërinë e grupeve të armatosura palestineze në një pjesë të izoluar dhe të shkatërruar rëndë të Gazës, ku trupat izraelite janë detyruar të rikthehen pasi kishin nisur një sulm të ngjashëm në nëntor.
Kareem Ayman Hathat, i cili jetonte me prindërit dhe dy vëllezërit e tij në një ndërtesë pesëkatëshe rreth 100 metra larg spitalit, tha se ata u grumbulluan në kuzhinë për ditë të tëra, teksa të shtënat me armë zjarri dhe shpërthimet jehonin jashtë, duke shkaktuar ndonjëherë të lëkundje në të gjithë ndërtesën.
Herët të shtunën, trupat izraelite u futën në ndërtesë dhe i detyruan ata dhe dhjetëra banorë të tjerë të largoheshin. Ai thotë se burrat u detyruan të zhvisheshin në të brendshme dhe katër prej tyre u arrestuan. Pjesës tjetër iu lidhën sytë dhe u urdhëruan të ndiqnin një tank në jug, e shumë shpërthime gjëmonin rreth tyre.
Edhe
Pas bastisjes dyjavore trupat izraelite tërhiqen nga spitali Shifa
“Kohë pas kohe, tanku lëshonte nga një predhë”, i tha ai Associated Press në një intervistë nga një spital tjetër në Gaza qendrore, ku ai ka kërkuar strehim. “Na terrorizonte”.
Kreu i komandës jugore të Izraelit, gjeneralmajori Yaron Finkelman, tha se bastisja në Shifa kishte qenë një “operacion i guximshëm, i ndërlikuar dhe më i jashtëzakonshmi deri më tani”, me “qindra” militantë të kapur dhe me marrjen e inteligjencës së vlefshme.
“Ne do ta përfundojmë këtë operacion vetëm kur terroristi i fundit të jetë në duart tona – i gjallë apo i vdekur”, shtoi ai në një deklaratë të publikuar nga ushtria.
Spitali Shifa kishte pushuar së funksionuari kryesisht pas bastisjes në nëntor. Pasi pretenduan se Hamasi mbante një qendër komandimi brenda dhe poshtë spitalit, forcat izraelite ekspozuan një tunel të vetëm që të çonte në disa dhoma nëntokësore. Ata gjithashtu thanë se gjetën armë në pjesë të spitalit.
Qyteti i Gazës, ku ndodhet Shifa, pësoi një shkatërrim të gjerë në ditët e para të ofensivës së Izraelit, të nisur pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Forcat izraelite kanë izoluar qytetin dhe pjesën tjetër të Gazës veriore që nga nëntori, dhe pothuajse asnjë ndihmë s’është dërguar në javët e fundit. Ekspertët thanë javën e kaluar se në Gazën veriore, mbi 210 mijë njerëz vuajnë nga uria katastrofike.
Jameel al-Ayoubi, i cili ishte në mesin e mijëra njerëzve të strehuar në spitalin Shifa kur bastisja filloi të hënën e kaluar, tha në një intervistë telefonike se tanke dhe buldozerë të blinduar kishin hyrë në oborrin e kompleksit të gjerë spitalor, duke shkatërruar ambulancat dhe automjetet civile. Ai tha se pa tanke që po kalonin mbi të paktën katër trupa të njerëzve të vrarë në fillim të bastisjes.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pesë palestinezë të plagosur të bllokuar në Shifa kishin vdekur pa ushqim, ujë apo shërbime mjekësore. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i përshkroi kushtet si “tërësisht çnjerëzore”.
Edhe
Të paktën 120 palestinezë të vdekur nga sulmet izraelite gjatë 48 orëve
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se kishte evakuuar pacientët dhe personelin mjekësor nga departamenti i urgjencës së Shifas, sepse militantët ishin “barrikaduar” në ndërtesë. Forcat izraelite kanë thënë se kanë ngritur një vend alternativ ku pacientët e lënduar rëndë po merrnin kujdes.
Abed Radwan, i cili jetonte rreth 200 metra larg spitalit, ka treguar se forcat izraelite sulmuan të gjitha ndërtesat në zonë, duke arrestuar disa njerëz dhe duke detyruar pjesën tjetër të marshonin në jug. Gjersa ecte në jug me të tjerët, ai pa kufoma në rrugë dhe disa shtëpi të shkatërruara.
“Nuk lanë asgjë pa prekur”, ka theksuar ai në një intervistë nga shtëpia e një të afërmi në Gazan qendrore.
Tani, në muajin e saj të gjashtë, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë mbi 32 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ajo nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve në numrin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vdekurve.
Izraeli pretendon se ka vrarë mbi 13 mijë militantë, pa dhënë prova. Ai fajëson Hamasin për viktimat civile, duke e akuzuar atë për përdorimin e shkollave, spitaleve dhe zonave të banuara për t’i mbrojtur militantët.
Më shumë se 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre, ku shumica kanë kërkuar strehim në qytetin më jugor të Rafahut, për të cilin Izraeli thotë se do të jetë objektivi i radhës i ofensivës së tij tokësore. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë thirrjet nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët për të shmangur nisjen e një operacioni të madh tokësor atje, duke thënë se është thelbësor për mposhtjen e Hamasit.
Edhe
Të paktën 30 të vrarë nga sulmet izraelite në veri të Gazës të enjten
Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 tjerë. Hamasi ende mban rreth 100 pengje dhe trupat e 30 të tjerëve, pasi tjerët u liruan në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në nëntor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të ndërmjetësojnë një tjetër armëpushim dhe lirim të pengjeve, por javët e bisedimeve indirekte midis Izraelit dhe Hamasit nuk kanë arritur një marrëveshje.