Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Palestina paralajmëron tërheqjen e njohjes së Izraelit

Një mekanizëm i nivelit të lartë palestinez ka autorizuar Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OCP) që ta anulojë njohjen e Izraelit dhe të ndalë koordinimin për sigurinë me Tel-Avivin.

Këshilli Qendror Palestinez (KQP) – mekanizëm i OÇP-së – ka bërë të ditur se duhet të tërhiqet njohja e Izraelit derisa Qeveria izraelite nuk e njeh shtetin e Palestinës me kufijtë e para vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, ka raportuar agjencia qeveritare palestineze e lajmeve.

Pas një takimi prej dy ditësh në Ramallah në Bregun e pushtuar Perëndimor, Këshilli ka thënë se OÇP-ja dhe Autoriteti Palestinez do t’i japin gjithashtu fund bashkëpunimit të sigurisë dhe të anulojnë marrëveshjet ekonomike të nënshkruara më 1994 me Protokollin Ekonomik të Parisit. Autoriteteve palestineze u është kërkuar të hiqet dorë edhe prej Marrëveshjes së Oslos.

Këshilli ka bërë të ditur se vendimi është marrë “në dritën e mohimit të vazhdueshëm të Izraelit të marrëveshjeve të nënshkruara”.

Vendimi duhet të aprovohet edhe nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas dhe Këshilli Ekzekutiv i OÇP-së.