Botë

Pakistani raporton për mbi një mijë të vdekur nga vërshimet

Pakistani po i bën thirrjes botës për ndihmë pas vërshimeve. Fshatarët e rraskapitur ndihmuan të plagosurit dhe i bartën plaçkat e pakta nëpër ujërat me baltë të dielën, ndërsa numri i vdekjeve nga përmbytjet në Pakistan shkoi në 1.000 që nga mesi i qershorit.

Përmbytjet e shpejta nga reshjet e dendura kanë vërshuar fshatrat dhe të korrat, ndërsa ushtarët dhe ekipet e shpëtimit shpërndanë tenda dhe siguruan ushqim për mijëra pakistanezë të zhvendosur.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të Pakistanit raportoi se numri i të vdekurve që kur sezoni i monsuneve filloi më herët se normalja këtë vit - në mes të qershorit - arriti në 1,033 persona pasi u raportuan viktima të reja në disa provinca.

Sezoni i paprecedentë i monsuneve ka prekur të katër provincat e vendit. Gati treqind mijë shtëpi janë shkatërruar, shumë rrugë janë bërë të pakalueshme dhe ndërprerjet e energjisë elektrike janë përhapur, duke prekur miliona njerëz.