Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pak para Brexit-it, Johnsoni thotë se Britania mund t’i braktisë bisedimet

Kryeministri Boris Johnson ka thënë të martën se Britania e Madhe mund t’i braktisë bisedimet tregtare për Brexit-in, vetëm një ditë pasi që u pajtua ta takojë shefen e Komisionit Evropian në përpjekjen e fundit për ta shmangur ndarjen kaotike nga BE-ja në fund të këtij viti.

Teksa kanë mbetur vetëm edhe tre javë kohë para se Britania ta kompletojë daljen e saj prej bllokut, Johnsoni do të takohet me presidenten ekzekutive të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë ditëve në vijim. Kjo pasi që negociatorët e dy palëve kanë dështuar që t’i tejkalojnë dallimet lidhur me ujdinë. Por ministri i Jashtëm i Irlandës ka thënë se dallimet janë vështirë të kapërcyeshme dhe se, përderisa nuk shënohet ndonjë e arritur e madhe “brenda një apo dy ditësh”, liderët e BE-së që do të mbajnë takime në Bruksel gjatë së enjtes dhe të premtes do të detyrohen t’i diskutojnë planet rreth një divorci “pa marrëveshje”.

“Fatkeqësisht po përballemi me mundësinë e një Brexit-i pa marrëveshje, po qe se diçka nuk bëhet në këtë drejtim gjatë një apo dy ditëve në vijim”, ka thënë ai para Parlamentit në Dublin.

Të dyja palët kanë ashpërsuar gjuhën qëkur bisedimet nisën përsëri, me ç’rast Johnsoni e ka përshkruar situatën si “shumë të ndërlikuar”, ndërsa kryenegociatori i BE-së ka thënë se blloku është krejtësisht unik dhe se “nuk do ta sakrifikonte kurrë të ardhshmen për të tanishmen”.

Palët kanë ftuar njëra-tjetrën për kompromise me qëllim të vënies në binarë të ujdisë dhe e shohin takimin – data e të cilit nuk është bërë e ditur – si një përpjekje e fundit për të kërkuar zgjidhje diplomatike rreth bllokadës disamuajshe.

Edhe Britania dhe BE-ja arrijnë marrëveshje tregtare pas Brexitit Botë Britania dhe BE-ja arrijnë marrëveshje tregtare pas Brexitit

Qëkur Britania u largua nga BE-ja në janar, të dyja palët kanë ngecur në negociatat lidhur me tri çështje, duke e ngritur mundësinë për atë që bizneset e konsiderojnë “skenar makthi” e që e përfshin mosarritjen e një marrëveshjeje për mbrojtjen e tregtisë vjetore prej rreth 1 trilion dollarësh nga tarifat dhe kuotat.

I pyetur nëse do të bëjë përpjekje për ujdi deri në momentin e fundit të mundshëm, Johnsoni ka thënë shkurt para gazetarëve: “Po, gjithsesi”.

“Jemi gjithnjë optimistë, por e dini se mund të vijë një moment, kur duhet të pranojmë se ka ardhur koha që të tërheqim vija dhe mu kështu po qëndrojnë punët”, ka thënë Johnsoni. “Do të dalim të fortë sipas cilitdo version dhe nëse na duhet që të shkojmë drejt zgjidhjes australiane, atëherë edhe kjo është në rregull”.

Johnsoni me këtë rast i është referuar rastit të Australisë, e cila nuk ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, por bën tregti me bllokun bazuar në kriteret e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pos Johnsonit, edhe negociatori i BE-së, Michel Barnier, është treguar dyshues, duke shkruar në Twitter pas informimit të ministrave për çështje evropiane të bllokut 27-anëtarësh: “Unitet i plotë. Kurrë nuk do ta sakrifikojmë të ardhmen tonë për të tanishmen. Qasja në tregun tonë vjen me kushte”.

Në një shenjë të lëvizjes në bisedimet paralele për zbatimin e marrëveshjes së mëhershme për kushtet e daljes së Britanisë – e jo për kushtet e tregtisë së ardhshme – të dyja palët kanë bërë të ditur të kenë arritur ujdi lidhur me aranzhimin e kufirit Irlandë-Irlandë Veriore.

Edhe BE-ja dhe Britania, afër finalizimit të marrëveshjes për tregti pas Brexitit Botë BE-ja dhe Britania, afër finalizimit të marrëveshjes për tregti pas Brexitit

Si rezultat i kësaj, Britania ka njoftuar se do t’i heqë nga ligji klauzolat që ishin në shpërputhje me marrëveshjen e daljes.

Qeveria irlandeze e përshëndeti marrëveshjen, e cila e shmang domosdoshmërinë për një kufi fizik në të vetmin kufi tokësor midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Irlanda Veriore, në fakt, mbetet në unionin doganor të BE-së dhe në tregun unik të mallrave edhe pas 31 dhjetorit, kur pjesa e mbetur e Mbretërisë së Bashkuar largohet tërësisht. \ Reuters