Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OSBE-ja ndërpret misionin tetëvjeçar të monitorimit në Ukrainë

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila ka mbajtur një mision vëzhgues në Ukrainën lindore për vite me radhë, njoftoi të enjten se do t'i duhej t'i jepte fund vendosjes afatgjate atje.

Moska - një nga anëtarët e grupit vuri veton ndaj një zgjatjeje të misionit, raporton BBC të premten.

"Ky nuk është një vendim i lehtë për t'u marrë, por pozicioni i Federatës Ruse nuk na la zgjidhje tjetër veçse të ndërmarrim hapa për mbylljen e misionit”, ka thënë kryetari i OSBE-së dhe ministri i jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau.

“Misioni luajti një rol vendimtar në ofrimin e informacionit objektiv në terren, duke lehtësuar armëpushimet dhe duke punuar për të lehtësuar efektet e konfliktit mbi popullatën civile”, ka shtuar ai.

Misioni Special i Monitorimit i OSBE-së në Ukrainë ishte vendosur që nga viti 2014 kur shpërtheu konflikti për herë të parë midis trupave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia. OSBE-ja ishte e vetmja organizatë ndërkombëtare që ndoqi drejtpërdrejt konfliktin.