Hungaria nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e veta antiemigracion pasi gjykata kryesore e Bashkimit Evropian hodhi poshtë padinë e shtetit kundër kuotave të emigrantëve, ka thënë të premten kryeministri hungarez Viktor Orban.
Gjykata më e lartë e BE-së ka vendosur të enjten se shtetet anëtare duhet të pranojnë në territoret e tyre një numër të caktuar të refugjatëve që arrijnë në Evropë, duke i rrëzuar paditë e Sllovakisë dhe Hungarisë dhe duke e rindezur furinë Lindje-Perëndim që e ka luhatur kohezionin në BE.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne duhet të marrim mësime nga vendimi pasi që nuk mund t’i gërryejmë themelet e BE-së – dhe respektimi i ligjit përbën themel të BE-së – mirëpo në të njëjtën kohë ky vendim i gjykatës për ne nuk përbën shkas për t’i ndryshuar politikat tona, të cilat i kundërshtojnë emigrantët”, tha Orban për radion shtetërore, transmeton Reuters.
Kriza e emigracionit e Mesdheut më 2015 ka vërshuar Ballkanin, Italinë dhe Greqinë me emigrantë, të cilët e nxitën BE-në të zbatojë sistemin e kuotave të detyrueshme për rilokimin e azilkërkuesve në shtetet e saj anëtare. Fluksi i emigrantëve ka shënuar rënie, duke e zbutur presionin karshi liderëve nacionalistë si Orbani, i cili po përfiton nga politikat e tij të serta antiemigracion me afrimin e zgjedhjeve të 2018-s, përcjell Koha Ditore. Tani që beteja ligjore ka dështuar, Orban tha se do të nisë një betejë politike për ta nxitur BE-në t’i ndryshojë kuotat e saj të detyrueshme.
“E gjithë kjo çështje e ngre një çështje tejet serioze parimesh: nëse ne jemi një aleancë e shteteve të lira evropiane me një komision që i përfaqëson interesat tona të përbashkëta ose një perandori evropiane që ka qendrën në Bruksel, e cila mund të japë urdhra”, tha Orban.
Ai ka thënë se shtetet e BE-së që kanë pranuar emigrantë kanë vendosur ta bëjnë një gjë të tillë me vetë vullnetin e tyre, porse ato tani nuk mund t’ia kërkojnë Hungarisë ta bëjnë të njëjtën gjë për t’i përmirësuar vetë gabimet e tyre.
“Nuk jemi ne hungarezët që i vëmë në pikëpyetje rregullat e klubit, por Komisioni i ka ndryshuar rregullat dhe kjo për ne është e papranueshme”, shtoi ai. Orban tha po ashtu se për dallim prej disa shteteve të tjera të BE-së, e shkuara kolonialiste e të cilave i ka shndërruar në “shtete emigrantësh”, Hungaria nuk ka një të shkuar kolonialiste.
“Ato shtete me të kaluar kolonialiste, që deri më tani janë kthyer në shtete emigrantësh, duan të na imponojnë neve në Evropën Qendrore vetë logjikën e tyre... mirëpo hungarezët nuk duan të shndërrohen në një shtet emigrantësh”, tha Orban.
Në të njëjtën kohë, ai tha se Hungaria është një shtet i përkushtuar i BE-së, për shkak se hungarezët kanë vendosur në referendumin e 2004-s për anëtarësim në bllok.
“Asnjë qeveri nuk mund ta largojë Hungarinë prej BE-së, pasi që ishte populli hungarez ai që vendosi të jetë pjesë e këtij blloku dhe kjo është gjëja e drejtë”.