Botë

Opsionet e Izraelit për hakmarrje ndaj Iranit

Izrael 0- Iran sulm

Foto: Associated Press

Izraeli ka premtuar të hakmerret ndaj sulmit masiv me raketa të Iranit javën e kaluar. Mënyra se si e bën këtë përfshin një rrezik të madh, e mund të ketë pasoja të mëdha për armiqtë kryesorë, Lindjen e Mesme dhe botën, shkruan agjencia “AP”. 

Opsionet e Izraelit variojnë nga sulme simbolike ndaj objektivave ushtarake deri te sulmet e rënda në industrinë e naftës apo në programin bërthamor të fshehtë dhe të fortifikuara të Iranit. 

Intensiteti dhe koha e çdo sulmi hakmarrës pritej të kryesonte agjendën e planifikuar këtë javë në Pentagon mes ministrit të Mbrojtjes së Izraelit dhe homologut të tij. Por, vonë të martën, Pentagoni tha se takimi është shtyrë papritur. 

Është shenjë e mosmarrëveshjes mbi qasjen e duhur. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka bërë thirrje tashmë Izraelit të mos e godasë programin bërthamor të Iranit dhe po ashtu e ka dekurajuar nga goditja e industrisë së naftës. 

“AP” ka folur me dy ish-kryeministra të Izraelit dhe ekspertë të tjerë për t’i eksploruar opsionet e Izraelit. Ka një konsensus të gjerë se Izraeli duhet të kundërpërgjigjet, por ka mosmarrëveshje se cila është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. 

“Çështja nuk është nëse Izraeli duhet të hakmerret apo të përgjigjet. Çështja është te mënyra”, ka thënë ish-kryeministri Ehud Olmert. 

Pse Izraeli po e kërcënon Iranin?

Izraeli dhe Irani janë përfshirë në një luftë në hije për vite me radhë – kryesisht përmes betejave të Izraelit kundër grupeve militante në rajon të mbështetura nga Irani. Izraeli gjithashtu ka qenë i dyshuar për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë dhe kryerjen e sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane, por rrallëherë e pranon përfshirjen.

Përplasjet e drejtpërdrejta kanë qenë të rralla. Por, gjërat ndryshuan pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit 2023 dhe Hezbollahu filloi të gjuante raketa në drejtim të Izraelit ditën tjetër. Të dy grupet marrin mbështetje nga Irani. 

Në prill, Irani lansoi 300 dronë e raketa në drejtim të Izraelit pasi e akuzoi për vrasjen e dy gjeneralëve iranianë në Konsullatën e Iranit në Siri. Pothuajse gjitha raketat nuk funksionuan apo u shkatërruan, dhe Izraeli reagoi me një sulm të kufizuar që sinjalizoi se nuk dëshironte një përshkallëzim të mëtejshëm.

Pas sulmit iranian të javës së kaluar, Izraeli la të kuptonte se reagimi i ardhshëm do të jetë ndryshe. 
Irani tha se sulmi me të paktën 180 raketa balistike ishte për t’u hakmarrë ndaj një serie të sulmeve izraelite kundër aleatëve të tij të ngushtë, Hamasit dhe Hezbollahut, përfshirë vrasjen e liderëve të grupeve. 

Megjithëse raketat shkaktuan pak dëme apo viktima, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Irani ka bërë “një gabim të madh dhe do ta paguajë për këtë”. 

Anëtarët e koalicionit të tij qeverisës kanë bërë thirrje për përgjigje të ashpër. 

Cilat janë opsionet e Izraelit? 

Izraeli ka gamë të gjerë zgjedhjesh të objektivave, nga ndërtesat qeveritare iraniane e deri te bazat ushtarake apo industria e naftës. Opsion janë edhe programet nukleare të fortifikuara e të fshehura nën  tokë. Izraeli e akuzon Iranin se ka zhvilluar armë bërthamore, por Irani ka mohuar këtë. 

Goditja kudo në Iran është sfidë logjistike për Izraelin. Aeroplanët luftarakë duhet të fluturojnë mbi 1500 kilometra deri te objektivi i tyre, duke kërkuar një operacion të komplikuar të furnizimit me karburant në ajër, potencialisht mbi qiellin e armikut. Çdo sulm do të nënkuptonte edhe konfrontim me sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit të prodhuara nga Rusia. 

“Mos harroni se Irani është 1500, 1600 kilometra larg nga Izraeli dhe ju keni disa vende në mes  - Jordaninë, Irakun e Arabinë Saudite. Disa janë miq e disa armiq”, tha Yoel Guzansky, një hulumtues i lartë në Institutin e Studimeve për Siguri Kombëtare në Tel Aviv dhe një ish-këshilltar për çështjet iraniane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit. “Nuk dëshironi t’i turpëroni miqtë. Nuk dëshironi të goditeni nga zjarri armiqësor nga shtetet tjera”. 

Olmert, që ka shërbyer kryeministër nga viti 2006 deri më 2009, tha se Izraeli është sigurisht i aftë për t’u përballur me këto sfida. 

“Ne kemi aftësitë. Nuk jam i sigurt nëse do të ishte e mençur dhe e përgjegjshme t’i ekspozonim ato”, tha Olmert. 

Edhe nëse Izraeli i ka aftësitë, ka konsiderata diplomatike. Një goditje në sektorin e naftës, shtyllën e ekonomisë së Iranit, ose në programin bërthamor pothuajse sigurisht do të garantonte një përgjigje iraniane dhe do ta rriste rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm. 

Sulme të tilla mund të tronditnin tregjet globale të naftës dhe ekonominë amerikane në prag të zgjedhjeve presidenciale. 

Ato gjithashtu mund të rrezikojnë hakmarrjen iraniane jo vetëm kundër Izraelit, por edhe kundër trupave amerikane të vendosura në rajon apo vendet arabe në Gjirin Arab të rreshtuara me Perëndimin. 

“Ndryshe nga Libani dhe Gaza, çdo sulm izraelit ndaj Iranit ka pasoja ndërkombëtare dhe globale”, tha Menahem Merhavy, një ekspert për çështjet e Iranit në Universitetin Hebraik në Jerusalem.

Pra, si do të përgjigjet Izraeli? 

Ish-liderët janë të ndarë se çfarë rruge duhet të zgjedhë Izraeli. 

Olmert tha se një goditje ndaj objektivave të shumta ushtarake, të përhapura në të gjithë territorin e Iranit, do të ishte e mjaftueshme për të dërguar një mesazh. Qëllimi, tha ai, është të dëshmohet se Izraeli mund të godasë kudo dhe kurdo. 

“Kjo është pikërisht ajo që ka të bëjë me parandalimin”, tha Olmert. 

Olmert tha se goditja në sektorin e naftës do të ishte përshkallëzim i panevojshëm që do të mund të merrte kundërpërgjigje. E për goditjen e programit bërthamor tha se nuk ia vlen të merret ai rrezik. Jo vetëm që do të shkaktonte hakmarrje iraniane, por gjasat për sukses janë të paqarta, thotë ai. 

“Do të ishte gabim nëse tentohet të goditet programi bërthamor”, tha Olmert. 

Një ish-kryeministër tjetër, Yair Lapid, beson se Izraeli duhet ta godasë industrinë e naftës së Iranit. 

“Ky është objektivi më i dhimbshëm për regjimin iranian”, tha Lapid, që ka shërbyer si kryeministër në vitin 2022. “Sulmi i Iranit me raketa balistike kundër Izraelit duhet të marrë një përgjigje të fuqishme”. 
Ai tha se Irani duhet ta kuptojë “se ka një kosto të lartë për agresionin e tij rajonal”. 

Në një intervistë për faqen izraelite “Ynet”, Lapid tha se goditja e programit bërthamor të Iranit duhet të bëhej vetëm si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar dhe në koordinim me SHBA-në. 

Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett, ka qëndrim edhe më të ashpër. Ai tha se është koha që Izraeli tash ta godasë programin bërthamor iranian. 

“Nuk mund të kënaqemi me bazat ushtarake iraniane apo me zhurmë të pakuptimtë. Koha e mesazheve ka mbaruar”, ka thënë Bennett. 

Olmert, megjithatë, shpreson që do të mbizotërojnë kokat më të qeta. 

“Çfarë duam të arrijmë dhe sa larg duam të shkojmë dhe sa arrogantë duam të jemi?” – pyeti ai. 
Këshilla e tij: “Mundohuni të jeni të zgjuar”.