Politikania opozitare bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya ka thënë të hënën se është e gatshme të udhëheqë Bjellorusinë dhe ka bërë thirrje për krijimin e një mekanizimi ligjor për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale, e të jenë korrekte, shkruan agjencia Reuters.
Në një video-mesazh nga Lituania, ajo i ka bërë thirrje forcave të rendit dhe sigurisë që të ndërrojnë anë nga qeveria e presidentit Alexander Lukashenko, duke thënë se sjelljet e kaluara do t’u falen nëse e bëjnë këtë tash.
Video-mesazhi i saj është publikuar një ditë pasi bjellorusët kanë mbushur rrugët në kryeqendër Minsk duke bërë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkos. Janë protestat më të mëdha të organizuara kundër presidentit autoritar. Protestuesit akuzojnë Lukashenkos për manipulim të votimit një javë më parë.
“Jam e gatshme të marrë përgjegjësinë dhe të veproj si një liderë nacionale gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Tsikhanouskaya.
Ajo ka ikur nga Bjellorusia javën e kaluar, duke e thënë se e bëri këtë për sigurinë e fëmijëve të saj.
Edhe
Bjellorusët që as të zhvendosur nuk po gjejnë qetësi
Zgjedhjet në Bjellorusi dhe dhuna e përdorur në protesta është dënuar edhe nga qeveritë perëndimore.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, që të përkrah demonstratat në Bjellorusi.
“Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të mobilizohet në përkrahje të qindramijëra bjellorusëve që po protestojnë në mënyrë paqësore për respektimin e të drejtave, lirive dhe sovranitetit të tyre”, ka shkruar Macron në Twitter.
Lukashenko ka akuzuar se forcat e NATO-s po mblidhen në afërsi të kufirit me Bjellorusi. Rusia në anën tjetër i ka premtuar përkrahje Lukashenkos.
Polonia, që është në kufi me Bjellorusinë, ka thënë se do ta monitorojë me kujdes situatën në kufi.
Edhe
Bjellorusia mban zgjedhje nën masa të rrepta sigurie, opozita bën thirrje për bojkot
“Ne po shikojmë se çfarë po ndodh në Bjellorusi, siç po shikojnë gjitha shtetet e NATO-s. Do të shikojmë edhe çfarë po ndodh në kufirin tonë. Nuk do të jemi pasiv”, ka thënë zëvendës-ministri i Mbrojtjes, Wojciech Skurkiewicz.
Ushtria bjelloruse ka paralajmëruar manovra ushtarake nga sot deri më 20 gusht, në rajonin Grodno në kufi me Poloninën e Lituaninë.