Botë

Operacioni i kapjes së Maduros, nga “fortesa” në Karakas deri në gjykatën e New Yorkut

nicolas maduro

Shtetet e Bashkuara thonë se operacioni i tyre ushtarak për ta kapur presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, mori muaj planifikim, por kur presidenti amerikan Donald Trump dha urdhrin për nisjen e operacionit të njohur si “Vendosmëria Absolute” ai zgjati vetëm rreth 150 minuta, shkruan “BBC”. 

Sulmi i papritur herët në mëngjesin e të shtunës, shënoi një ngjarje të paprecedentë në politikën moderne dhe kulmoi me arrestimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij Cilia Flores. 

Të kapur nga trupat e njësisë elitare ushtarake amerikane ndërsa përpiqeshin të iknin në një dhomë të sigurt të fortifikuar, dyshja tash po mbahet në një qendër paraburgimi në New York dhe përballet me akuza për narkoterrorizëm. 

Ndërsa dielli lindi të shtunën, shkalla e operacionit ushtarak në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, ishte e qartë. 

Fotografitë nga Fuerte Tiuna, një kompleks i madh ushtarak ku jetojnë zyrtarë të lartë qeveritarë, shfaqin ndërtesa të bombarduara dhe makina të djegura. 

Ishte në këtë kompleks ku Maduro dhe gruaja e tij u kapën, tha për agjencinë e lajmeve “AP’, kreu i partisë në pushtet Nahum Fernandez.

Kompleksi Fuerte Tiuna pas sulmit amerikan (Foto: CBS)

Urdhri i Trumpit

Operacioni “Vendosmëria Absolute” filloi me raportime për shpërthime rreth orës 2 pas mesnatës në Karakas. 

SHBA-ja ndërpreu energjinë elektrike në qytet, Trump tregoi, duke e përshkruar atë si moment “të errët dhe vdekjeprurës”.

Qëllimi ishte të çaktivizohej mbrojtja ajrore e Venezuelës dhe të hapej rruga për helikopterët ushtarakë amerikanë për të shkuar në Fuerte Tiuna. 

“Ne vlerësuam se kishim ruajtur plotësisht elementin e befasisë”, tha gjenerali Dan Caine, shtatmadhori amerikan. 

BBC-ja ka verifikuar pesë vende sulmi, duke përfshirë kompleksin, një port dhe një aeroport.

Fotografitë tregojnë Fuerte Tiunan në flakë, ku flakët dukeshin nga kilometra larg. 

Venezuelanët kanë përshkruar se si helikopterët ushtarakë amerikanë fluturuan ulët mbi Karakas, duke u drejtuar për në Fuerte Tiuna. 

Pamjet satelitore të kompleksit Fuerte Tiuna para dhe pas sulmit

Disa nga helikopterët u goditën, por ishin në gjendje të fluturonin, tha gjenerali Caine. 

“Kishte shumë të shtëna me armë”, tha Trump. 

Sapo arritën në tokë, trupat nga Delta Force e Ushtrisë së SHBA-së, një njësi elitare e forcave speciale, lëvizën shpejt. 

Ata siguruan qasje në kompleks në orën 02:01 me kohë lokale dhe Madurot “u dorëzuan” pa asnjë vështirësi, tha gjenerali Caine. 

Por, Trump dha më tepër detaje. Madurot u përpoqën të iknin në një vend të sigurt, shpjegoi presidenti amerikan, duke e përshkruar atë si “fortesë” ushtarake. 

Zjarri në Fuerte Tiuna (Foto: AFP)

“Vendi i sigurt ishte tërësisht prej çeliku dhe ai nuk arriti deri te dera, sepse djemtë tanë ishim shumë të shpejtë. Ishte një derë shumë e trashë dhe e rëndë. Ai arriti deri te dera, por nuk arriti ta mbyllte”, tha Trump. 

Por, edhe po të arrinin te dera e sigurt, Trump tha se trupat do ta kishin hapur për “rreth 47 sekonda”.

Nga Karakasi në Manhattan

Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij u transportuan rreth 3400 kilometra për në New York City. 
Ata u larguan nga Karakasi me helikopter dhe u dërguan në USS Iwo Jima, një anije luftarake e stacionuar në Karaibe. Ekipi u kthye rreth orës 04:29 tha gjenerali Caine.

Ishte në anije ku u bë fotografia përcaktuese e operacionit – Maduro me pranga, me mbrojtëse veshësh dhe një lloj mbulese për sytë që dukeshin si syze dielli. 

Nga USS Iwo Jima, ai fillimisht u dërgua me aeroplan në bazën e Marinës Amerikane në Gjirin e Guantanamos. 

Maduro më pas u transportua me një aeroplan qeveritar në Bazën e Gardës Kombëtare “Stewart Air” në New York dhe më pas me helikopter në Manhattan. 

Të shtunën, u shfaq një video ku shihej Maduro në selinë e Agjencisë Antidrogë të SHBA-së (DEA) në New York. 

Ai dhe Cilia Flores po mbahen në një qendër paraburgimi në qytet. 

Janë akuzuar për komplot për të kryer narkoterrorizëm dhe importim kokaine, posedim të armëve dhe pajisjeve shkatërruese, si dhe për komplot për të poseduar mitraloza dhe pajisje shkatërruese kundër SHBA-së. 

“Ata së shpejti do të përballen me zemërimin e plotë të drejtësisë amerikane në tokën amerikane në gjykatat amerikane”, tha prokurorja e përgjithshme Pam Bondi. 

Madurot do të paraqiten të hënën në gjykatë.