Botë

Omicroni i kthen kufijtë

Omicron

Japonia, e cila ende nuk ka zbuluar ndonjë rast të variantit omicron të identifikuar së fundi, rivendosi kontrollet kufitare që i kishte lehtësuar më herët gjatë këtij muaji për bizneset afatshkurtra, studentët e huaj dhe për punëtorët

Teksa rastet e një varianti të ri të koronavirusit po konfirmohen anembanë botës, Japonia paralajmëroi se do ta ndalojë hyrjen për të gjithë vizitorët e huaj, duke iu bashkuar numrit vazhdimisht në rritje të vendeve që po i ashpërsojnë masat në kufijtë e tyre shkaku i frikës që mund të ketë një zgjatje tjetër të vuajtjes pandemike.

Masat e Japonisë

Japonia, e cila ende nuk ka zbuluar ndonjë rast të variantit omicron të identifikuar së fundi, rivendosi kontrollet kufitare që i kishte lehtësuar më herët gjatë këtij muaji për bizneset afatshkurtra, studentët e huaj dhe për punëtorët.

Pavarësisht shqetësimit global, shkencëtarët paralajmëruan se është akoma e paqartë nëse omicron është më i rrezikshëm sesa llojet e tjera të një virusi që ka marrë jetën e më shumë se 5 milionë njerëzve. Disa shtete po vazhdojnë me planet e mëparshme për t’i lehtësuar kufizimet, e ka edhe shenja rihapjeje si në Malajzi, Singapor dhe në Zelandën e Re.

“Po i ndërmarrim këta hapa si masa paraprake emergjente për ta parandaluar skenarin më të keq që mund të ndodhë në Japoni”, ka thënë kryeministri Fumio Kishida për masat që do të fillojnë të martën. Japonia i ka mbajtur të mbyllur kufijtë për turistët e huaj nga të gjitha vendet.

Kishida ka nxitur njerëzit të vazhdojnë t’i mbajnë maskat dhe t’u përmbahen masave tjera antivirusale derisa të dihen detaje për variantin e ri.

Image

Ashpërsimi i masave

Kryeministri Kishida, paraardhësi i të cilit e humbi postin pjesërisht për shkak të zhgënjimit me trajtimin e situatës e virusin, nuk ishte i vetmi në zgjedhjen e një qasjeje më të rreptë derisa të dihen detaje se çka mund të shfaqet nga omicron.

Izraeli vendosi ta ndalojë hyrjen për të huajt, e Maroku tha se do t’i pezullojë të gjitha fluturimet e ardhshme për dy javë, duke filluar nga e hëna.

Po këtë ditë, qeveria skoceze njoftoi për zbulimin e gjashtë rasteve të reja të variantit omicron të koronavirusit, duke e rritur totalin e Britanisë në nëntë. Është kërkuar nga shëndeti publik të merren të gjitha masat për gjurmimin e të gjithave rasteve që kanë pasur kontakt.

“Pikëpyetjet kanë mbetur tek ashpërsia e tij, transmetueshmëria dhe reagimi i tij ndaj trajtimeve apo vaksinave, e për këtë shkencëtarët po punojnë me ritëm për të siguruar informacione plotësuese”, ka treguar sekretari skocez i Shëndetësisë, Humza Yousaf.

Gjatë fundjavës, autoritetet e shëndetësisë kanë gjetur tri raste të variantit, të cilët kanë shtyrë qeverinë britanike t’i ashpërsojnë rregullat në mbajtjen e maskës dhe testimet e ardhjes në vend.

Të tjerat shtete që raportuan raste të reja gjatë fundjavës ishin Holanda, me tri raste të konfirmuara, dhe Kanada me dy.

Thirrja e OBSH-së

Megjithatë, në Malajzi, zyrtarët vazhduan drejt rihapjes së pjesshme të një bregu që e lidh atë me qytetin ishullor - me shtetin e Singaporit. Edhe Zelanda e Re ka njoftuar se do t’i vazhdojë planet për rihapje, pas shumë muaj mbylljeje, duke kufizuar po ashtu udhëtimet nga vendet afrikane.

Duke theksuar se varianti tashmë është identifikuar në shumë vende dhe mbyllja e kufijve shpesh ka pasur një efekt të kufizuar, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që kufijtë të mbesin të hapur.

Varianti u zbulua disa ditë më parë nga studiuesit në Afrikën Jugore, dhe shumë gjëra rreth tij janë ende të paqarta, përfshirë faktin se a është më ngjitës, a mund të shkaktojë sëmundje serioze ose a është në gjendje t’i ikë mbrojtjes së vaksinës.

Zyrtarët shëndetësorë në territorin e Australisë Veriore kanë paralajmëruar se shteti konfirmoi rastin e parë omicron të hënën, kur një burrë nga Afrika Jugore udhëtoi për në Dawlin të enjten e kaluar.

Zelanda e Re rihapet kur bota po rimbyllet

Ministri australian i Shëndetësisë, Greg Hunt, ka thënë se kryeministri po e mbledh Komitetin e Sigurisë Kombëtare të rishqyrtojë veprimet që mund të ndërmerren për omicron.

Në New South Wales, kryeministri Dominic Perrottet, të hënën ka theksuar se mund të jetë edhe rasti i tretë me omicron në shtetin e tij. Autoritetet shëndetësore atje, të dielën kanë njoftuar se dy udhëtarë nga Afrika Jugore kanë rezultuar pozitivë. Ishin pa simptoma dhe plotësisht të vaksinuar. Të ardhurve nga nëntë vende afrikane tani u kërkohet të karantinohen sapo të arrijnë.

Zelanda e re i ka kufizuar udhëtimet prej nëntë vendeve afrikano-jugore si shkak i kërcënimit nga omicroni, mirëpo kryeministrja Jacinda Ardern ka sqaruar se nuk parasheh kufizime më të shumta.

Omicron nuk i ka ndryshuar planet e Zelandës së Re për lehtësimin e kufizimeve në Auckland dhe për ta dërguar vendin në një fazë të re, më të hapur që nga pandemia, ka vënë në pah Ardern të hënën. Baret, restorantet dhe palestrat do të rihapen të enjten vonë, duke përfunduar mbylljen nga koronavirusi që kishte nisur qysh në gusht.

Përktheu: Blerta Haxhiu