Agjencia e migracionit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se të paktën 55 emigrantë janë mbytur në një varkë gome në brigjet e Libisë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, raportoi të mërkurën Associated Press.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, varka po transportonte dhjetëra emigrantë të destinuar për në Evropë, ndërsa fatkeqësia ndodhi të martën.
Varka po mbante të paktën 60 emigrantë, pesë prej të cilëve i mbijetuan mbytjes së varkës dhe janë sjellë në breg nga roja bregdetare libiane.
Safa Msehli, zëdhënëse e IOM-it, ka njoftuar se anija u përmbys pak kohë pasi u largua nga Garabouli. Ajo tha se roja bregdetare libiane deri më tani ka marrë trupat e nëntë burrave dhe një fëmije.
“Pesë të mbijetuarit përfshijnë katër burra - tre pakistanezë dhe një egjiptian - dhe një fëmijë sirian”, shtoi Msehli për AP-në.
IOM-i ka njoftuar se të paktën 537 njerëz janë mbytur ose zhdukur në katastrofat e emigrantëve në Mesdhe jashtë Libisë gjatë këtij viti, ndërsa mbi 4,300 janë kapur dhe janë kthyer në breg.
Në vitin 2022, të paktën 529 emigrantë u raportuan të vdekur dhe 848 njerëz u zhdukën jashtë Libisë, ndërsa mbi 24,680 u kapën dhe u kthyen në vendin e goditur nga kaosi i Afrikës së Veriut.