Botë

Ofensivë ukrainase në rajonin e Khersonit, disa rusë të vrarë

Të paktën shtatë persona u vranë e dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm nga forcat e armatosura ukrainase në qytetin Nova Kakhovka, të kontrolluar nga Rusia në rajonin jugor Kherson, shkruan “Aljazeera” të martën.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, njoftoi të martën se sulmi shkaktoi dëme të mëdha në magazinat e plehrave dhe në ndërtesat përreth.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas bënë të ditur se kanë shkatërruar një depo municioni në Kakhovka.

Serhiy Bretchuk, zëdhënës i administratës në Odesa, tha se forcat ruse tashmë kanë një depo “minus” të municioneve.

“Aktualisht ka shtatë të vdekur e rreth 60 të plagosur. Ka shumë persona nën rrënoja. Të plagosurit po dërgohen në spital, por ka shumë njerëz të bllokuar në shtëpitë e tyre”, deklaroi Vladimir Leontyev.

Ky sulm është në kuadër të planit të Ukrainës, të paralajmëruar ditë më parë, për të çliruar rajonin e Khersonit.