Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Numri i të vdekurve në Britani nga COVID-19 i afrohet shifrës 43 mijë

Shifra zyrtare e të vdekurve në Britani të Madhe nga COVID-19 i është afruar 43 mijëshit, shkruan agjencia Reuters.

Shifrat e reja zyrtare për Anglinë dhe Uellsin kanë sjellë numrin total të vdekurve në së paku 42.900, siç njofton Reuters, ku përfshihen edhe të dhënat e publikuara në Skoci e Irlandë të Veriut, dhe po ashtu vdekjet e fundit në spitale në Angli.

Të dhënat të martën nga Zyra e Statistikave Nacionale po ashtu kanë treguar për gjendjen e rëndë në shtëpitë e shëndetit, që janë goditur veçanërisht rëndë nga virusi që ka shkaktuar vdekjen e rreth 318 mijë personave nëpër botë.

Vdekjet në shtëpitë e kujdesit nëpër Britani të Madhe kanë kaluar shifrën 10 mijë deri më 8 maj, siç kanë treguar të dhënat.

Një shifër aq e lartë e të vdekurve në Britani ka rritur presionin te kryeministri Boris Johnson, që është kritikuar për menaxhimin e situatës. Partitë opozitare thonë se ai ka qenë tepër i ngadalshëm në vendosjen e masave kufizuese, tepër i ngadalshëm për prezantimin e testimit në masë dhe tepër i ngadalshëm për të ofruar mjaftueshëm pajisje mbrojtëse për spitalet.