Sipas një raporti qeveritar, ritmi i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ra gjatë vitit të kaluar për gratë e moshave 20 dhe 30 vjeçare. Ky është niveli më i ulët i lindjeve në 30 vitet e fundit, theksohet në një raport që e transmeton “Zëri i Amerikës”.
Ekspertët thonë se në pakësimin e numrit të lindjeve mund të kenë ndikuar disa faktorë, si psh ndryshimi i qëndrimit për t'u bërë nënë dhe i rregullave të imigracionit.
Sipas raportit të bazuar tek një studim, ku u përfshinë më tepër se 99 për qind të çertifikatave të lindjes në mbarë vendin, vitin e kaluar pati 3.853 milionë lindje. Ky është numri më i vogël që nga viti 1987.
Numri i lindjeve ka rënë që nga viti 2014, por 2017-a shënoi rënien më të madhe nga një vit në tjetrin, rreth 92,000 më pak lindje se një vit më parë.
Kjo ishte një gjetje e që i ka çuditur studjuesit, pasi zakonisht lindjet shtohen kur ekonomia lulëzon. Vitin e kaluar papunësia ra ndjeshëm dhe ekonomia amerikane shënoi rritje.
Edhe
SHBA-ja regjistron rritjen më të vogël të popullsisë
Cili është shkaku?
Ekspertët thonë se ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek lindjet.
Një prej tyre mund të jetë ndryshimi i qëndrimit ndaj të qënit nënë në brezin e mijëvjeçarit të tanishëm, që tani janë në moshën optimale për të lindur. Studjuesit thonë se ky brez është më i prirur ta shtyjë kohën e lindjes së fëmijës, ose për të patur më pak fëmijë.
Një tjetër shkak mund të jetë ndryshimet tek popullsia e imigrantëve, që çdo vit kontribuojnë me rreth një të katërtën e lindjeve në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, aziatikët përbëjnë numrin më të madh të imigrantëve dhe ata zakonisht lindin më pak fëmijë se sa grupet e tjera të imigrantëve.
Po ashtu, një tjetër faktor është shtimi i përdorimit të IUD-ve dhe formave të tjera të masave mbrojtëse kontraceptive që veprojnë me afat të gjatë.
Zbulime të tjera
Raporti i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po ashtu zbuloi se:
Ritmi i lindjeve tek gratë e moshës nga 15 deri në 44 vjeç, që njihet zakonisht si mosha e pjellorisë, ra në nivelin rekord 60 për çdo 1000 gra.
Gratë e moshës 40-vjeçare ishin grupi me rtimin më të madh të lindjeve në vitin 2017, duke shënuar një rritje me 2 për qind për këtë grupmoshë. Ritmi i lindjeve për këtë moshë ka ardhur duke u rritur nga fillimi i viteve 1980.
Numri i lindjeve me operacion cezarian u rrit paksa gjatë vitit të kaluar, pasi në vitet e fundit kishte shënuar rënie. Sipas studimeve, lindjet me operacion janë më të përhapura tek lindjet e para të nënave me moshë më të madhe.
Edhe
Numri i lindjeve në SHBA bie në nivelin më të ulët prej vitit 1986
Numri i foshnjeve të lindura para kohe dhe nën peshë u rrit për të tretin vit radhazi, ndoshta për të njëjtat arsye.
Lindjet nga vajzat adoleshente po ashtu ranë. Në vitin 2017 ato ranë me 7 për qind krahasuar me një vit më parë.
Ritmi i lindjeve tek gratë në të 20-ata ka rënë përsëri, duke shënuar rekordin 4 për qind më pak se një vit më parë.
Ndoshta ajo që është më për t'u habitur, ritmi i lindjeve tek gratë në të 30-at ra paksa: 2 për qind në mesin e grupmoshës 30-34 vjeç dhe 1 për qind për gratë 35-39 vjeçare.
Ritmi i lindjeve për gratë e moshës 30-vjeçare është rritur vazhdimisht, duke arritur në nivelet më të larta, për të paktën gjysëm shekulli dhe gratë në fillimet e moshës 30 vjeçare, kohët e fundit u bënë grupmosha që lind më tepër fëmijë. Në këtë grupmoshë, po ashtu rënia e numrit të lindjeve ishte më e vogël.
"Është vështirë të thuhet në se kemi të bëjmë me një ndryshim themelor, apo me një prirje e përkohëshme", - thotë Hans-Peter Kohler, demograf në Universitetin e Pensilvanisë, që merret me studimin e prirjes së lindjeve.
Një brez që nuk mund të zëvendësohet
Një tjetër zbulim i rëndësishëm i studimit: brezi i tanishëm nuk do të mund ta riprodhojë veten me ritmin e tanishëm të lindjeve.
Dikur Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e pak vendeve të zhvilluara me një ritëm fertiliteti, që kishte një numër të mjaftueshëm lindjesh për të siguruar zëvendësimin e brezave.
Ritmi aktual i lindjeve në Shtetet e Bashkuara tani është më i vogël se kufiri standart për zëvendësimin e brezave. Megjithatë, ky ritëm është më i lartë se sa në vende si Spanja, Greqia, Japonia dhe Italia, por diferenca duket se po pakësohet.
Edhe
Numri i lindjeve në SHBA bie në nivelin më të ulët prej vitit 1986
Një dekadë më parë, ritimi i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ishte 2,1 fëmijë për një grua. Në vitin 2017, kjo shifër ra në 1,8 fëmijë për një grua, shifra më e ulët që nga viti 1978.
“Kjo është një rënie e konsiderueshme", - tha Dr. John Santelli, profesor për popullsisë, shëndetin familjar dhe pediatrinë në Universitetin Kolumbia.