Njëri prej sulmuesve në Sri-Lankë kishte studiuar në Britani të Madhe dhe në Australi para se të ndërmerrte sulmet e së dielës me bombat, të cilat mund të jenë financuar dhe frymëzuar nga grupi ekstremist i Shtetit Islamik, ka thënë të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Sri-Lankës.
“Besojmë se njëri nga bombarduesit vetëvrasës kishte studiuar në Britani të Madhe dhe më pas ka vijuar studimet postdiplomike në Australi, përpara se të rikthehet dhe të vendoset në Sri-Lankë”, ka thënë ministri Ruwan Wijewardene, gjatë një konference për shtyp të mërkurën, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”. Wijewardene ka konfirmuar se shumica e bombarduesve kishin lidhje ndërkombëtare, meqë ose kishin jetuar ose studiuar jashtë vendit.
“Nga ky grup i bombarduesve vetëvrasës, shumica ishin me arsimim të lartë dhe i përkisnin shtresës së mesme apo më të lartë, kështu që në aspektin financiar ishin goxha të pavarur ndërsa familjet e tyre bukur stabile financiarisht, dhe ky është një faktor shqetësues”, ka thënë ai.
“Disa prej tyre mendoj se kanë studiuar në vende të ndryshme, kishin diploma, pra ishin bukur të arsimuar”. Numri i të vdekurve nga shpërthimet e shumëfishta gjatë festës së Pashkëve ka arritur të mërkurën në 359, teksa të lënduar janë rreth 500. Tetëmbëdhjetë të dyshuar janë arrestuar gjatë natës, duke e çuar shifrën e përgjithshme të të ndaluarve në 58, ka thënë zëdhënësi i policisë srilankase, Ruwan Gunasekara.