Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSHBA-ja ka shkatërruar 16 anije iraniane që përpiqeshin të vendosnin mina detare
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në një postim në rrjete sociale ka njoftuar se janë shkatërruar disa anije iraniane, përfshirë edhe 16 minalëshuese pranë Ngushticës së Hormuzit. CENTCOM ka postuar edhe video të shkatërrimit të anijeve.
Për përpjekjet për minimin e Ngushticës së Hormuzit ka shkruar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ai në postimin në “Truth Social” tha se u shkatërruan dhjetë anije minalëshuese.
“Jam i kënaqur të njoftojë se brenda orëve të fundit kemi goditur dhe shkatërruar plotësisht dhjetë varka apo anije joaktive për vendosjen e minave, dhe do të ketë edhe të tjera!” – ka shkruar Trump.
Ai po ashtu ka thënë se do të shkatërrojë çdo anije që tentojë të minojë Ngushticën e Hormuzit.
“Përveç kësaj, ne po përdorim teknologjinë e njëjtë dhe aftësinë e njëjtë të raketave që përdorën kundër trafikantëve të drogës për të eliminuar çdo varkë apo anije që përpiqet të minojë Ngushticën e Hormuzit. Me to do të merremi shpejt dhe me dhunë. KUJDES!” – ka shkruar Trump.
.
Trumpi lëshon paralajmërin të ri për Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se pasojat “do të jenë në një nivel të paparë deri më tani” nëse Irani ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, në një postim në Truth Social, ai ka shtuar se SHBA-ja “nuk ka raportime se kjo ka ndodhur”.
“Nëse Irani ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit, edhe pse ne nuk kemi raportime se ata e kanë bërë këtë, kërkojmë që ato të hiqen menjëherë! Nëse për ndonjë arsye janë vendosur mina dhe ato nuk hiqen menjëherë, pasojat ushtarake për Iranin do të jenë në një nivel që nuk është parë kurrë më parë. Nëse, nga ana tjetër, ata heqin atë që mund të kenë vendosur, ky do të ishte një hap gjigant në drejtimin e duhur!”, ka shkruar Trumpi.
Çmimet e naftës në mbarë botën janë rritur ditët e fundit për shkak të shqetësimeve mbi kalimin e naftës përmes kësaj rruge të rëndësishme detare.
Burimet e inteligjencës amerikane besojnë se Irani po përgatitet të vendosë mina detare në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas informacionit të siguruar nga CBS-ja, Irani po përdor për këtë qëllim anije të vogla që mbajnë nga dy deri në tre mina secila.
Rusia thotë se sulmet kanë dëmtuar konsullatën e saj në Iran
Rusia thotë se konsullata e saj në Isfahan, Iran, ka pësuar dëme gjatë fundjavës si rezultat i sulmeve në zyrën e guvernatorit lokal që ndodhet aty pranë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e përshkroi incidentin si një "shkelje flagrante" të së drejtës ndërkombëtare, por nuk ka akuzuar asnjë vend për këtë.
"Konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet, duke ndikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në interesat e një numri gjithnjë e në rritje të shteteve dhe civilëve të tyre", ka thënë ajo.
Nuk ka pasur viktima ose lëndime serioze, ka shtuar ajo.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë intenifikuar këtë javë sulmet ndaj Iranit, teksa edhe Teherani zyrtar po vazhdon të godasë infrastrukturën jetike të rajonit.
Ukraina dërgon ekspertë të dronëve në tri shtete të Lindjes së Mesme
Ukraina ka dërguar ekipe të mbrojtjes ajrore në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite për t’i ndihmuar në luftën kundër sulmeve ajrore të Iranit, ka thënë të martën presidenti Volodymyr Zelensky.
Vendet e Gjirit kanë përdorur sasi të mëdha raketash të mbrojtjes ajrore për të rrëzuar dronët sulmues të Iranit, dhe kanë kërkuar ekspertizën e Ukrainës për rrëzimin e tyre. Kievi rrëzon dronë rusë çdo natë duke përdorur një sërë armësh, përfshirë dronë më të vegjël dhe më të lirë ose pajisje për bllokimin e sinjaleve.
“Sa i përket situatës në Lindjen e Mesme, ne kemi dërguar ekipet tona: tri ekipe profesionale dhe të pajisura”, u ka thënë Zelensky gazetarëve. Ai nuk ka dhënë detaje për këto ekipe, por ka thënë se të gjitha duhet të jenë në vend gjatë kësaj jave
Këshilltari i tij për komunikim gjithashtu ka thënë se specialistë ukrainas tashmë janë vendosur në një bazë ushtarake amerikane në Jordani, pa dhënë detaje të tjera.
Zelensky ka deklaruar se prania e pilotëve ukrainas është thelbësore për efektivitetin e operacioneve me dronë interceptues.
“Edhe ato vende që blinin në heshtje interceptorë, mendoj se kanë kuptuar se pa ushtrinë tonë, operatorët tanë dhe softuerin tonë… pa të gjitha këto, interceptorët thjesht nuk funksionojnë”, është shprehur Zelensky.
Që kur SHBA-ja dhe Izraeli kanë filluar sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, Ukraina është përpjekur të shfrytëzojë përvojën e saj të gjatë në pengimin e dronëve sulmues Shahed, të përdorur nga Rusia.
Kievi zyrtar thotë se Rusia e cila tani i prodhon vetë këta dronë, ka lëshuar më shumë se 57,000 dronë të tipit Shahed kundër Ukrainës deri më tani.
Agjencia Reuters ka raportuar javën e kaluar se SHBA-ja dhe Katari po kërkojnë të blejnë dronë interceptues nga Ukraina si një alternativë shumë më e lirë se raketat për rrëzimin e dronëve Shahed.
Kur u pyet se çfarë do të marrë Ukraina në këmbim për dërgimin e ekipeve speciale, Zelensky ka thënë se Ukraina kërkon mbi të gjitha raketa të mbrojtjes ajrore.
Kievi është ankuar prej muajsh për mungesa kritike të këtyre municioneve, veçanërisht për sistemet amerikane MIM-104 Patriot, të cilat janë mjeti i vetëm efektiv i Ukrainës për të interceptuar raketat balistike.
SHBA-ja i kërkon Izraelit t’i ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, ka raportuar Axios të martën, duke cituar tri burime të njohura me çështjen.
Washingtoni e ka dërguar mesazhin në një nivel të lartë politik dhe te Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Izraelit, Eyal Zamir, ka raportuar Axios, duke cituar një zyrtar izraelit.
Administrata Trump ka përmendur tri arsye, duke përfshirë një qëllim për të bashkëpunuar me sektorin e naftës së Iranit pas luftës, sipas raportit.
Arsye të tjera përfshinin frikën se sulme të tilla do të dëmtonin publikun iranian dhe do të shkaktonin sulme masive hakmarrëse iraniane ndaj infrastrukturës energjetike në të gjitha shtetet e Gjirit, ka raportuar Axios.
Rreth 140 ushtarë amerikanë të plagosur gjatë luftës me Iranin
Pentagoni ka bërë të ditur të martën se rreth 140 anëtarë të shërbimit amerikan janë plagosur deri më tani në luftën ndaj Iranit.
Tetë prej tyre janë "të plagosur rëndë" dhe ende po marrin kujdes mjekësor, ka njoftuar Pentagoni, teksa shumica dërrmuese, 108 - janë rikthyer në detyrë.
Shtatë anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë që kur ka shpërthyer konflikti, më 28 shkurt.
Një numër i lartë viktimash janë shënuar në mesin e iranianëve, që sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, ka shkuar në mbi 1,000.
Libani kërkon bisedime me Izraelin për t’u dhënë fund luftimeve
Presidenti i Libanit ka bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta me Izraelin si pjesë e një propozimi për t’i dhënë fund konfliktit në përshkallëzim me Hezbollahun, ndërsa njëkohësisht ka kritikuar ashpër këtë grup të mbështetur nga Irani për tërheqjen e vendit në një luftë më të gjerë rajonale.
Një zëdhënës i presidentit, Joseph Aoun, i ka thënë BBC-së se Libani është i gatshëm të negociojë, por jo teksa sulmet izraelite vazhdojnë.
Duke folur gjatë një takimi virtual me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian të hënën, Aoun ka paraqitur atë që e ka përshkruar si një rrugë drejt “marrëveshjeve të përhershme për siguri dhe stabilitet në kufijtë tanë”.
Zyrtarët izraelitë kanë treguar pak shenja se janë të gatshëm të mbështesin negociatat dhe qeveria nuk ka komentuar ende.
Sipas planit me katër pika të presidentit libanez, një “armëpushim i plotë” do të përkonte me çarmatimin e Hezbollahut, si dhe me ndihmën ndërkombëtare për Forcat e Armatosura të Libanit për t’i ndihmuar ato të rimarrin kontrollin e “zonave të tensionit”.
“Dhe njëkohësisht, Libani dhe Izraeli do të fillojnë negociata të drejtpërdrejta nën sponsorizim ndërkombëtar, për të zbatuar planin e përmendur më sipër,” thuhet në deklaratë.
Aoun ka thënë se lufta ka pasur një ndikim shkatërrues në Liban, me më shumë se 700,000 persona të zhvendosur, përfshirë 200,000 fëmijë, dhe qindra të vrarë nga sulmet izraelite gjatë nëntë ditëve të fundit, sipas Kombeve të Bashkuara.
“Disa prej tyre janë në rrugë. Ata nuk kanë strehim dhe as nevojat më bazë të jetës”, ka shtuar ai.
Presidenti gjithashtu ka bërë një kritikë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë ndaj Hezbollahut, duke akuzuar milicinë dhe lëvizjen politike shiite se po vepron kundër interesave kombëtare të Libanit.
Duke iu referuar Hezbollahut si një “fraksion i armatosur”, Aoun ka thënë se ai “nuk i jep asnjë peshë interesave të Libanit apo jetës së popullit të tij”, dhe se dëshiron “shembjen e shtetit libanez nën agresion dhe kaos”.
Hegseth thotë se sot do të jetë dita “më intensive” e sulmeve të SHBA-së
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha të martën nga Pentagoni se “sot do të jetë dita më intensive e sulmeve në Iran”.
Deklarata e tij erdhi pak pasi ai tha se “në 24 orët e fundit kanë parë që Irani ka lëshuar numrin më të ulët të raketave që prej kur kanë nisur sulmet”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në sallë, për sulmet më të rralla të Iranit, Hegseth u përgjigj se kjo nuk do të thotë se forcat iraniane nuk do të jenë në gjendje të lëshojnë raketa, por shifrat reflektojnë “efikasitetin” e sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai u pyet gjithashtu për raportet se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është lënduar.
Hegseth tha se Khamenei “do të tregohej i mençur” të dëgjonte mesazhin e Donald Trump për të mos ndjekur rrugën e armëve bërthamore, edhe pse nuk mund të komentonte nëse ai është dëmtuar.
Irani nis sulme ndaj Izraelit, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe
Izraeli, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po raportojnë për sulme të reja me raketa nga Irani drejt territoreve të tyre.
Ushtria izraelite thotë se sistemet mbrojtëse janë në funksion për t’i penguar ato dhe se një mesazh paralajmërues është dërguar për njerëzit në zonat e prekura.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara thotë se mbrojtja e saj ajrore “aktualisht po i përgjigjet kërcënimeve me raketa dhe dronë që vijnë nga Irani”. Ajo u kërkoi njerëzve në zonat përreth “të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Katarit thotë se forcat e armatosura kanë penguar një sulm me raketa që kishte në shënjestër vendin.
Erdogani-Iranit: Nuk mund të justifikohen shkeljet e hapësirës ajrore turke
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Iranin se shkeljet e hapësirës ajrore turke “nuk mund të justifikohen” dhe tha se sulmet ndaj vendeve në rajon nuk i ndihmojnë askujt.
Në një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ai tha se Turqia po përpiqet të hapë rrugën për diplomaci për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
“Pavarësisht paralajmërimeve tona të sinqerta, vazhdojnë të ndërmerren hapa jashtëzakonisht të gabuar dhe provokues që do të rrezikojnë miqësinë e Turqisë”, ka thënë Erdogani në një mbledhje të kabinetit të mbajtur të hënën mbrëma.
Komentet vijnë pasi mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë të dytë balistike iraniane që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë të hënën.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ndan një kufi të gjatë me Iran, i cili ka qenë i qëndrueshëm për 500 vjet.
Asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka të njëjtën thellësi kontakti me atë që ka mbetur nga regjimi brenda Iranit. Erdogani po pozicionohet, ashtu siç ka bërë në Ukraine, Gaza dhe në disa fronte të tjera, si një ndërmjetës.
Irani thotë se nuk po kërkon armëpushim, Netanyahu zotohet se s'do të ndalen sulmet
Kryetari i parlamentit të Iranit të martën hodhi poshtë çdo pretendim se Teherani po kërkon një armëpushim në luftë.
“Ne definitivisht nuk po kërkojmë një armëpushim, ne besojmë se agresorit duhet t’i jepet një goditje e fortë që të marrë mësim, në mënyrë që të mos mendojë më kurrë të sulmojë Iranin”, shkroi Mohammad Bagher Qalibaf në X.
Ai ka shkruar se Izraeli, ekzistencën e tij e sheh në vazhdimin e ciklit "luftë-negociata-armëpushim, porse sipas tij, ky cikël do të thyhet.
“Regjimi sionist e sheh ekzistencën e tij të turpshme në vazhdimin e ciklit ‘luftë-negociata-armëpushim dhe pastaj përsëri luftë’ për të konsoliduar dominimin e tij. Ne do ta thyejmë këtë cikël".
Në anën tjetër kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të martën se Izraeli do të vazhdojë të godasë Iranin.
“Qëllimi ynë është ta bëjmë popullin iranian që të heqë qafe tiraninë, në fund kjo varet nga ata,” tha Netanyahu gjatë një takimi me drejtuesit e spitaleve dhe të sistemit shëndetësor të Izraelit.
“Por nuk ka dyshim se me veprimet e ndërmarra deri tani, ne po ua thyejmë kockat,” tha ai.
Izraeli urdhëron evakuimin urgjent nga Libani Jugor
Izraeli ka urdhëruar evakuimin urgjent të Libanit jugor ndërsa vazhdon ta godasë zonën me sulme ajrore.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, thotë se Izraeli po vepron “me forcë” kundër Hezbollahut në jug të lumit Litani për shkak të aktiviteteve të grupit në rajon.
“Ne presim që të evakuoni shtëpitë tuaja menjëherë dhe të drejtoheni menjëherë në veri të lumit Litani”, shkruan ai në X .
Të hënën, IDF tha se kreu një seri sulmesh në Liban kundër objektivave të Shoqatës Al-Qard Al-Hassan (AQAH), një shoqatë financiare e lidhur me Hezbollahun.
Ministria libaneze e shëndetësisë tha dje se 486 persona janë vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën e tij më herët këtë muaj.